Aro Muriq i bëri disa pritje vendimtare, ndërsa Kosova mori një pikë të madhe në ndeshjen e vështirë me Slloveninë.

Të premten mbrëma në “Fadil Vokrri”, Kosova e Sllovenia luajtën pa gola.

Ndeshja i takoi xhiros së tretë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Me barazim, Kosova mbetet e dyta në Grupin B me katër pikë. Zvicra udhëheq me nëntë pikë, ndërsa Sllovenia doli në vendin e tretë me dy pikë. Suedia mbetet me një pikë dhe bie në vendin e fundit.

Ndeshja nisi mirë për Kosovën. Në minutën e pestë Florent Muslija bëri krosim të bukur në zonë për Vedat Muriqin. Por goditja e sulmuesit nuk ishte e saktë.

Më pas të përzgjedhurit e Franco Fodas i kishin disa tentime, por pa rrezikuar seriozisht portën e sllovenëve.

Ndërkohë mysafirët kishin më shumë mundësi të mira shënimi. Në pjesën e parë portieri i Kosovës, Aro Muriq, bëri pritje vendimtare pas goditjes së yllit të Manchester Unitedit, Benjamin Sheshkos.

Sulmuesi slloven rrezikoi disa herë edhe në pjesën e dytë. Por Muriq nuk u mposht, ndërsa me një ndërhyrje vendimtare u dallua edhe mbrojtësi i qendrës, Albian Hajdari.

Hajdari debutoi te Kosova, ndërsa luajti përkrah Fidan Alitit e Ilir Krasniqit. Krahët e mbrojtjes sërish u janë besuar Mërgim Vojvodës e Dion Gallapenit.

Në fakt Foda i është përmbajtur formacionit të njëjtë që fitoi 2:0 ndaj Suedisë. Ndryshimi i vetëm ishte aktivizimi i Hajdarit në vend të Lumbardh Dellovës së lënduar.

Por sllovenët ishin dukshëm më të vëmendshëm se suedezët. Kanë bërë presion maksimal sa herë që lojtarët e Kosovës kishin topin, duke mos u lejuar “Dardanëve” të shfaqin shumë.

Dhe në fund barazimi ishte më shumë pikë e fituar për Kosovën se dy pikë të humbura.

Kosova e kishte topin në 43 për qind të kohës. Sllovenët kishin plot 12 raste, ndërsa lojtarët e Kosovës përgjysmë më pak.

Kosova nuk e kishte asnjë goditje që shkoi në kornizë të portës kundërshtare, derisa sllovenët i kishin tri.

Menjëherë të hënën Kosova ka tjetër ndeshje vendimtare. Në Goteborg luan me Suedinë që do ta ketë rastin e fundit për reagim.

Hajdari: S’po e ndiej veten si debutues nga pritja që më është bërë

7 o. më parë / 10 tet 2025 23:14
Albian Hajdari

Mbrojtësi Albian Hajdari është shprehur i emocionuar pas debutimit të tij me fanellën e Kosovës, duke theksuar se është ndier menjëherë pjesë e grupit falë pritjes së ngrohtë nga bashkëlojtarët dhe stafi.

“Jam lojtar shumë emocional dhe ndoshta e kam shprehur pak këtë. Nuk po e ndiej veten si debutues, sepse më kanë pritur të gjithë shumë mirë, sikur të jem këtu prej kohësh. Jam shumë i kënaqur për debutimin, sidomos që nuk kemi pranuar gol – për një mbrojtës kjo është gjëja më e mirë”, ka thënë Hajdari, duke vlerësuar edhe punën e ekipit në aspektin defensiv.

Ai theksoi se ndonëse përvoja në Zvicër ka qenë ndryshe, Kosova ka potencial të madh dhe mund të synojë lart.

“E di që krahasimi me Zvicrën është tjetër nivel e mentalitet, por edhe këtu ka shumë cilësi. Mund të flasim edhe për Botëror. Jam shumë i lumtur që jam këtu”, u shpreh ai.

Duke folur për ndeshjen e radhës ndaj Suedisë, Hajdari ka thënë se ekipi do të ruajë të njëjtin mentalitet luftarak.

“Është folur shumë për sulmuesit e Suedisë dhe për milionat e tyre, por ne me shifra të vogla kemi arritur shumë. Do të japim maksimumin dhe pres një ndeshje të mirë”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.

22-vjeçari ishte prej më të mirëve në fushë në barazimin pa gola ndaj Sllovenisë.

Aliti: Duhet pak kohë që lojtarët të ambientohen me sistemin me tre mbrojtës

7 o. më parë / 10 tet 2025 23:11
Fidan Aliti

Mbrojtësi Fidan Aliti ka thënë se skuadra po përshtatet gradualisht me sistemin e ri të lojës me tre qendërmbrojtës. Ai u shpreh i kënaqur me paraqitjen e repartit defensiv të Kosovës, që në dy ndeshjet e fundit nuk ka pësuar asnjë gol.

“Më së miri për një mbrojtës është kur askush nuk flet për të – kjo do të thotë që e ka kryer mirë punën. Në dy ndeshje nuk kemi pranuar gol dhe kjo është gjëja më e mirë për ne mbrojtësit dhe portierin. Duhet të vazhdojmë kështu”, ka thënë Aliti.

Ai shtoi se përvoja me këtë sistem loje në klub e ka ndihmuar të përshtatet më lehtë me kërkesat e trajnerit.

“Edhe në klub luajmë me tre qendërmbrojtës, madje edhe me Fodan te Zurichu kemi luajtur kështu. E di çfarë kërkon trajneri dhe kjo e lehtëson punën. Por duhet pak kohë që të gjithë lojtarët të ambientohen plotësisht”, theksoi ai.

Duke folur për ndeshjen e ardhshme, Aliti paralajmëroi një përballje të vështirë kundër Suedisë.

“Na pret një ndeshje shumë e fortë, ndryshe nga kjo e fundit. Suedezët duan të reagojnë. Ne duhet të rikuperohemi dhe të fokusohemi maksimalisht”, përfundoi mbrojtësi i Kosovës.

Muriqi: Sllovenia na shtyu të mbrohemi më shumë

7 o. më parë / 10 tet 2025 23:02
Muriqi - Rrahmani

Foto: Nikollë Quni

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur pas ndeshjes kundër Sllovenisë (0:0), duke pranuar se përballja ishte e vështirë dhe se kundërshtari i detyroi “Dardanët” të mbroheshin më shumë se zakonisht.

“Lojë e vështirë për ne. Sllovenia është mbrojtur shumë kur e kishim ne topin. Personalisht nuk e nënçmoj këtë pikë – do të na vlejë shumë muajin e ardhshëm”, deklaroi Muriqi.

Ai shtoi se gjatë analizës së kundërshtarit kishin vërejtur stilin e lojës me topa të gjatë, ndaj vendosi të tërhiqej për të ndihmuar mbrojtjen.

“Kam vendosur të tërhiqem që të mos kenë mundësi të dërgojnë topa pas mbrojtjes sonë, ku janë shumë të rrezikshëm. Diferencën e bëri Sllovenia, sepse na shtyu të mbrohemi më shumë dhe ka luajtur më shumë në fushën tonë, sidomos në 20 minutat e fundit”, theksoi ai.

Muriqi shtoi se pavarësisht pritjeve të mëdha dhe euforisë, ekipi duhet të ruajë qetësinë dhe fokusin.

“Kemi pasur një rënie të vogël, ndoshta nga pritjet për fitore të thellë. Por tani jemi të përqendruar – në Suedi do të shkojmë 100 për qind të gatshëm”, përfundoi kapiteni i Kosovës.

Gallapeni: Na mungoi fati

7 o. më parë / 10 tet 2025 23:00
Dion Gallapeni

Mbrojtësi Dion Gallapeni ka thënë se Kosovës i mungoi fati në ndeshjen që përfundoi pa gola ndaj Suedisë. Por është optimist pas humbjes së Suedisë nga Zvicra.

“Kam besuar se do të kem mundësi më shumë të luaj me Kombëtaren e Kosovën. Është ndjenjë e papërshkrueshme. Sot na ka munguar fati. Në fund kjo pikë do të vlejë shumë. Kemi pasur disa mundësi, por edhe kundërshtari kishte raste. Një gol e vendoste këtë ndeshje. Duke parë rezultatin e ndeshjes Suedi – Zvicër, kjo është një pikë shumë e rëndësishme për ne”, u shpreh ai pas ndeshjes.

Muslija: E dhamë maksimumin, kundër Suedisë synojmë fitoren

7 o. më parë / 10 tet 2025 22:58
Florent Muslija

FOTO: Nikollë Quni

Florent Muslija është shprehur i kënaqur me paraqitjen e Kosovës ndaj Sllovenisë (0:0), ndonëse ka theksuar se mungesa e golit bëri diferencën. Ai ka thënë se skuadra luajti mirë dhe tregoi karakter në fushë.

“Kemi bërë lojë të mirë, i gjithë ekipi. E kemi treguar veten dhe e kemi dhënë maksimumin. Edhe unë kam dashur t’i ndihmoj ekipit me kualitetin që kam. Na ka munguar goli, por shpresoj që të hënën do të fitojmë në Suedi”, deklaroi Muslija.

Ai shtoi se që në fillim e ka kuptuar se kundërshtarët nuk ishin aq të shpejtë dhe se në duelet një kundër një ka pasur epërsi.

“E kam ditur që një kundër një nuk mund të më ndalin. I kam kaluar kundërshtarët dhe janë detyruar të më rrëzojnë”, ka thënë ai.

Muslija theksoi se ekipi po përparon nga ndeshja në ndeshje dhe se gabimet janë pjesë e lojës.

“Edhe ne jemi njerëz, bëjmë gabime. Por në ndeshjet e fundit kemi treguar një tjetër fytyrë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”, përfundoi ai.

Muriq: Barazimi na mban në lojë

7 o. më parë / 10 tet 2025 22:53
Arijanet Muriq

Një nga më meritorët për barazimin pa gola të Kosovës ndaj Sllovenisë, portieri Arijanet Muriq, ka thënë se ky rezultat i mban në lojë për të synuar kualifikimin në Botërorin 2026.

“Në mbrojtje kemi luajtur për herë të parë së bashku, paraqitja ishte shumë e mirë. E ardhmja është e ndritur. Duhet të vazhdojmë para, të kemi besim. Kemi kërkuar fitoren sonte, por edhe barazimi nuk është rezultat i keq. Barazimi na mban në lojë”, ka thënë ai.

Lëndohet Rexhbeçaj, e zëvendëson Berisha

8 o. më parë / 10 tet 2025 21:54
Elvis Rexhbeçaj

Elvis Rexhbeçaj është detyruar ta lërë fushën në minutën e 51-të për shkak të një lëndimi. 

Në vend të Rexhbeçajt në lojë është inkuadruar Valon Berisha.

Mbyllet pa gola pjesa e parë në “Fadil Vokrri”

9 o. më parë / 10 tet 2025 21:31
Albion Rrahmani

Albion Rrahmani

Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e ndeshjes Kosova – Sllovenia.

Të dyja ekipet patën vetëm nga një rast të mirë shënimi. Kosova e pati me Vedat Muriqin në minutat e para, ndërsa Benjamin Sheshko i Sllovenisë në minutën e 38-të por u ndal nga Arijanet Muriq.

Kjo ndeshje po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe i takon kualifikimeve për Botërorin 2026.

Muriqi shpëton Kosovën

9 o. më parë / 10 tet 2025 21:25
Arijanet Muriq

Arijanet Muriq ka bërë super pritje në minutën e 38-të. 

Benjamin Sheshko nga afërsia goditi fuqishëm por Muriq reagoi duke bërë pritje shumë të mirë dhe më pas priti edhe një goditje me kokë nga bashkëlojtari. 

Rast i mirë për Kosovën

9 o. më parë / 10 tet 2025 20:53
Vedat Muriqi

Vedat Muriqi kishte rast shumë të mirë në minutën e pestë për ta kaluar në epërsi Kosovën. Florent Muslija harkoi në zonë, topin e pranoi Muriqi por goditja shkoi fare pranë portës.

Ndeshja Kosovë – Slloveni i takon kualifikimeve për Botërorin 2026.

Foda i përmbahet formacionit fitues

11 o. më parë / 10 tet 2025 19:37
Franco Foda

Selektori i Kosovës, Franco Foda, i është përmbajtur formacionit që solli fitoren e madhe ndaj Suedisë.

Ndonëse janë kthyer Edon Zhegrova e Milot Rashica, ata janë vetëm zëvendësues.

Ndryshimi i vetëm është në mbrojtje. Në mungesë të Lumbardh Dellovës së lënduar starton debutuesi Albian Hajdari.

Pjesa tjetër e formacionit është e njëjta.

Kosova ka gjasë t’i përmbahet edhe taktikës së njëjtë. Në mbrojtje mund të luajë me pesë lojtarë në vijën e fundit, ndërsa në sulm të fitojë epërsi numerike me Mërgim Vojvodën e Dion Gallapenin në krahë. 

Vedat Muriqi e Albion Rrahmani do të jenë në sulm, të përkrahur nga Florent Muslija.

Kontrollimi i mesfushës i është besuar dyshes së Bundsligës, Leon Avdullahu – Elvis Rexhbeçaj.

Përkrah Hajdarit në mbrojtje luan Fidan Aliti, derisa Aro Muriq është në portë.

Kosova publikon formacionin, starton Hajdari

11 o. më parë / 10 tet 2025 19:17
Kosova

Selektori i Përfaqësueses së Kosovës, Franco Foda, ka publikuar formacionin startues për ndeshjen ndaj Sllovenisë.

Nga minuta e parë do të luajë Albian Hajdari që ditë më parë refuzoi Zvicrën për Kosovën. Do të jetë debutim për mbrojtësin e Hoffenheimit. 

“Dardanët” nga ora 20:45 luajnë përballë Sllovenisë, në ndeshjen që i takon Grupit B të kualifikimeve. Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Sulmit i prijnë Vedat Muriqi, Albion Rrahmani dhe Florent Muslija.

Mesfusha përbëhet prej Leon Avdullahut, Elvis Rexhbeçajt dhe Mërgim Vojvodës. 

Në repartin defensivë janë Ilir Krasniqi, Albian Hajdari, Fidan Aliti dhe Dion Gallapeni.

Në portë si zakonisht është Arijanet Muriq.

Sllovenia me ekip më të shtrenjtë se Kosova

13 o. më parë / 10 tet 2025 17:37
Sllovenia

Përfaqësuesja e Kosovës do të ketë punë të vështirë sonte nga ora 20:45 në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Vlera e përfaqësueses sllovene është dukshëm më të lartë.

Sipas “transfermarkt”, vlera e lojtarëve të Suedisë është 162 milionë euro, në krahasim me 54 milionë euro sa vlejnë gjithë lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës.

Dallimin e bën sulmuesi i rrezikshëm i sllovenëve, Benjamin Sheshko, që vlerësohet 70 milionë euro.

Lojtari më i shtrenjtë te Kosova është sulmuesi i Juventusit, Edon Zhegrova, që vlerësohet 25 milionë euro.

Futbollistët e Kosovës kanë pasur rritje të madhe së fundmi në treg.

Tre lojtarët e Hoffenheimit, Albian Hajdari, Leon Avdullahu dhe Fisnik Asllani, kushtojnë 30 milionë euro. Vlera e Hajdarit është 12 milionë euro, e Avdullahut dhjetë dhe e Asllanit tetë milionë euro.

Prej lojtarëve të shtrenjtë të Kosovës janë edhe sulmuesi i Spartës së Pragës, Albion Rrahmani me tetë milionë euro dhe portieri i Sassuolos, Arijanet Muriq, që ka vlerën 7.5 milionë euro në treg.

Por, vlera në treg nuk është tregues se cilët janë lojtarët më të rrezikshëm te ndonjë përfaqësuese.

Vedat Muriqi, sulmuesi më i rrezikshëm i Kosovës që luan te Mallorca, vlerën në “transfermarkt” e ka 5 milionë euro. Megjithatë, Muriqi i prin listës së golashënuesve te Kosova me 32 gola në 62 paraqitje.

Kosova synon fitore për të mbetur në garë

13 o. më parë / 10 tet 2025 17:31
kosova

Kosova synon tjetër paraqitje mbresëlënëse, si në fitoren 2:0 ndaj Suedisë, për ta bërë hapin e madh drejt Botërorit 2026. 

“Dardanët” nga ora 20:45 luajnë përballë Sllovenisë, në ndeshjen që i takon Grupit B të kualifikimeve.

Ndeshja zhvillohet në “Fadil Vokrri”, që do të jetë plot me shikues.

Në shtator, Kosova u mposht nga Zvicra në Basel me rezultatin 4:0, ndërsa fitoi ndaj suedezëve në Prishtinë. 

Sllovenët barazuan me Suedinë 2:2 në ndeshjen e parë, dhe u mposhtën 3:0 nga Zvicra. 

Kosova këtë vit ka shënuar rritjen më të madhe. Është e 91-ta në ranglistën e FIFA-s, derisa është promovuar edhe në Ligën B të Ligës së Kombeve. 

“Dardanët” e kanë vetëm një humbje në fushën e lojës në 11 ndeshjet e fundit. I kanë shënuar 26 gola. 

Humbja tjetër, në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS), ishte ajo ndaj Rumanisë me rezultatin zyrtar, 3:0. 

Fitorja e radhës për lojtarët e udhëhequr nga Franco Foda, do të bënte që Kosova të hynte seriozisht në garë për Botërorin që vitin tjetër organizohet në Kanada, Meksikë dhe SHBA. 

Kosova ka mungesa të shumta, por Foda ka theksuar se ekipi është gati.