Kosova është njëra prej tetë përfaqësueseve që paraqiten në finalet e plejofit evropian për kualifikim në Kupën e Botës në futboll.
Në finale, Kosova luan me Turqinë, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”.
Mediume të mëdha ndërkombëtare kanë shkruar për ndeshjen.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kosova e vogël kërkon historinë e Kupës së Botës me ndeshjen e fundit kualifikuese kundër Turqisë”, ka shkruar agjencia e lajmeve Reuters.
Kjo agjenci ka bërë një prezantim të rritjes graduale të ekipit të Kosovës dhe arritjen në finale të plejofit. Shkrimi i Reutersit është përcjellë në mediume të shumta nëpër botë.
“The Guardian” ka shkruar se “çdo gjë është e mundshme për Kosovën”.
Ndërkohë titulli i një komenti të Alex Torres për mediumin spanjoll “AS”, është: “Ndeshja që Fadil Vokrri është dashur ta shikonte”.
Sipas autorit, asgjë që Kosova ka arritur nuk do të ishte e mundur pa ish-presidentin e federatës, legjendën Vokrri. Torres ka shkruar për përvojën personale që kishte me Vokrrin e ndjerë, për planet dhe synimet e tij.
“Nesër Kosova përballet me Turqinë duke e ditur që fitorja ia siguron vendin në Kupën e Botës. Do të luajë në stadiumin që e mban emrin e Fadil Vokrrit. Është e trishtueshme dhe e padrejtë që ai nuk do të jetë aty për ta parë, por kujtimi i tij do të jetë i gjallë në mendjen e spektatorëve. Asgjë nuk do të ishte e mundur pa të”, shkruan në artikullin e “AS”.
Revista gjermane “Kicker” ka shkruar ndër të tjera për bonusin që është premtuar nga Qeveria e Kosovës në rast të kualifikimit në Botëror. 1 milion janë premtuar për fitore në finale, por “edhe më shumë”.
Ndërkohë mediumet e fuqishme turke kanë dërguar ekipet e gazetarëve në Kosovë. Ato po e përcjellin në çdo hap përfaqësuesen turke, por edhe Kosovën.
Ndeshja pritet me shumë interesim edhe në Turqi, por edhe në shumë vende të tjera.