Futboll

Merr fund bojkoti i Cristiano Ronaldos

Ronaldo

Cristiano Ronaldo është gati të kthehet në fushë, duke i dhënë fund bojkotit.

41-vjeçari, i cili paguhet mbi 500 mijë euro në ditë, ka nisur një bojkot javën e kaluar.

Ronaldo refuzoi të luante në dy ndeshjet e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve të raportuara me Fondin e Investimeve Publike të Arabisë Saudite.

Sipas mediave portugeze, Ronaldo fitoi betejën me Arabinë Saudite.

Pagat u janë paguar të gjithë punonjësve të klubit Al Nassr dhe kthimi i tij në fushë është planifikuar për të shtunën.

“Bordi i Al Nassr iu nënshtrua presionit nga ylli portugez dhe pagoi të gjitha pagat e papaguara ndaj punonjësve të klubit. Ky gjest solidariteti nga Ronaldo rezultoi vendimtar në arritjen e një marrëveshjeje, duke treguar se kapiteni po luftonte gjithashtu për dinjitetin e atyre që punojnë prapa skenave në gjigantin e Riadit”, shkruan “A Bola”.

Po ashtu u raportua se Ronaldo ishte i pakënaqur me mënyrën se si Fondi i Investimeve Publike të Arabisë Saudite po i trajton financat e Al Nassr, në krahasim me klubet rivale për titull të kampionit.

Ronaldo pretendoi se klubi i tij nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë në tregun e transferimeve, pas kalimit të Karim Benzemas nga Al Ittihadi në Al Hilal, rivali më i drejtpërdrejtë i Al Nassr në garën për titull.

Al Hilal konsiderohet si klubi më i fuqishëm dhe më popullor në Arabinë Saudite dhe në bazë të kësaj ka gëzuar trajtim më të favorshëm nga  Fondi i Investimeve Publike.