Portugalia të dielën mbrëma e ka fituar Ligën e Kombeve. Portugalia e mposhti Spanjën në finale me rezultatin 5:3 në penallti. Koha e rregullt përfundoi 2:2. Penalltinë e vetëm për Spanjën e humbi sulmuesi i Galatasarayt, Alvaro Morata.
Pas ndeshjes Morata deklaroi se ekziston mundësia që mos të luajë për Spanjën në muajin shtator, në kualifikimet për Kupën e Botës që mbahet vitin e ardhshëm në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
“Sigurisht është një mundësi që të mos kthehem në shtator. Kemi bërë një punë të shkëlqyer duke u përpjekur të sjellim një tjetër trofe në shtëpi, në Spanjë, dhe më vjen keq për të gjithë shokët e mi të ekipit sepse kemi punuar shumë. Por kjo është pjesë e futbollit dhe e jetës”, ka thënë Morata, shkruan të hënën “Mundo Deportivo”.
Morata e pranoi se nuk bëri ndeshje të mirë. Por ai e falënderoi selektorin e Spanjës, Luis de la Funte për besimin që ia dha.
“E falënderoj trajnerin për besimin e tij, si gjithmonë. Është e qartë se nuk luajta mirë, mund të kisha bërë më mirë dhe kjo nuk mund të ndryshohet. Ashtu siç më është dashur të ngre trofeun e Kampionatit Evropian, tani duhet të largohem duke u ndier i frustruar”, theksoi 32-vjeçari Morata.