Ndaj Sllovenisë në shtëpi dhe ndaj Suedisë në udhëtim, Vedat Muriqi nuk shënoi gol për Kosovën. Përfaqësuesja megjithatë mori katër pikë të mëdha dhe është maksimalisht e motivuar për dy ndeshjet vendimtare të nëntorit.
Muriqi është kthyer te Mallorca dhe të shtunën dha sinjalin e duhur se në “finalet” e Kosovës, me Slloveninë në udhëtim dhe me Zvicrën në shtëpi, do të jetë i duhuri.
31-vjeçari realizoi gol të bukur të shtunën në fitoren 3:1 të Mallorcas në udhëtim ndaj Sevillas. Muriqi shënoi për 1:1 në minutën e 67-të, duke goditur bukur nga zona. Goli i tij hapi rrugën për fitoren e madhe të Mallorcas. Mateo Joseph i realizoi dy golat e fitores.
Ndeshja i takoi xhiros së nëntë të La Ligas, ndërsa për Mallorcan ishte vetëm fitorja e dytë dhe e para në udhëtim. Por fitore shumë e vlefshme që skuadrën e “piratit” e largoi nga zona e rrezikshme.
Tre golat e parë të Muriqit ishin shënuar në ndeshje të humbura. Një e shënoi në disfatën 2:1 nga Real Madridi dhe dy në distafën 3:2 nga Espanyoli. Më pas shënoi për barazimin 1:1 me Atletico Madridin, më 21 shtator. Dhe tani shënoi në fitore.
Ai ka pesë gola në tetë ndeshje. Është bilanc shumë i mirë në krahasim me dy edicionet e kaluara. Në edicionin e kaluar i kishte shtatë gola e dy asistime në 29 paraqitje kampionale. Bilanc plotësisht të njëjtë kishte edhe në kampanjën 2023/2024. Në kampionatin 2022/2023 i realizoi 15 gola e tri asistime në 35 paraqitje, ndërsa për gjysmë kampionati në edicionin 2021/2022 i kishte pesë gola e tri asistime në 16 ndeshje. Tani këtë shifër golash e ka në përgjysmë më pak ndeshje.
“Ne kemi besuar dhe goli i Muriqit ishte pikë kthese në presionin tonë. Për fat e kemi gjetur rrugën tonë. Pas golit të Muriqit kemi lëvizur përpara dhe për fat kjo shkoi në favorin tonë. Kjo nuk ka ndodhur më parë”, ka thënë trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate.
Prizrenasi tani i ka 40 gola e 11 asistime në 126 paraqitje për Mallorcan. Në La Liga i ka 39 gola e 10 asistime në 117 paraqitje.
Mallorca është shumë e varur nga Muriqi, por Kosova edhe më shumë. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë i përfaqësueses me 32 gola në 64 paraqitje.
Me Fisnik Asllanin e Albion Rrahmanin, Kosova ka opsione tjera shumë të mira në sulm. Por Muriqi mbetet vendimtar. Dhe forma e tij mund të jetë përcaktuese për ndeshjen e 15 nëntorit në Lubjanë dhe 18 nëntorit në Prishtinë. Kosova është në garë për kualifikim në Botëror dhe të paktën për kalim në plejofin e kualifikimeve për ngjarjen globale. Dy xhiro para fundit është e dyta në Grupin B me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra. Sllovenia i ka tri pikë, ndërsa Suedia vetëm një. Fituesja e grupit kualifikohet në Botëror, ndërsa e dyta luan në plejof.