Futbollistet e Portugalisë kanë pësuar humbje të thellë nga kampionia e botës, Spanja, në Evropianin “Zvicra 2025”.
Spanja mposhti Portugalinë me rezultat 5:0 të enjten, në ndeshjen që i takoi grupit B.
Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nderim të lojtarit të Liverpoolit, Diogo Jota, i cili vdiq bashkë me vëllain e tij, Andre Silva, në një aksident në Spanjë.
Spanja i shënoi katër gola në pjesën e parë. Golin e pestë e realizoi në fundin e ndeshjes.
Serinë e golave e hapi Esther Gonzalez në minutën e 2-të. Spanjollet shënuan shpejtë edhe golin e dytë. Në minutën e shtatë Vicky Lopez shënoi për 2:0. Golin për 3:0 e shënoi Alexia Putellas, kurse dy minutë më vonë, Gonzalez shënoi edhe golin e saj të dytë personal. Cristina Mrtin-Prieto shënoi për 5:0 në minutën e 93-të.
Spanja fitoi në vitin 2023 kupën e Botës, ndërsa është favorite për ta fituar edhe Evropianin që po mbahet në Zvicër.