Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Nga kampion i Premier Leagues, në garë për të mbijetuar

Liverpool

Foto: Associated Press

Vetëm një vit më parë, Liverpooli ishte afër që ta barazonte rekordin me 20 tituj në elitën angleze. Tani trajneri Arne Slot është në garë për ta shpëtuar sezonin, dhe ndoshta edhe punën e tij.

Humbja 4:0 nga Manchester City në javën e kaluar e eliminoi Liverpoolin nga Kupa FA. Dhe tani, humbja 2:0 nga Paris Saint-Germaini të mërkurën ka bërë që klubi nga Merseyside të jetë në prag të eliminimit nga çerekfinalja e Ligës së Kampionëve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Duke ia shtuar mbrojtjen e titullit që u zbeh herët në këtë kampanjë, presioni mbi të ardhmen e trajnerit Arne Slot është rritur, pavarësisht se ai e fitoi titullin në Premier League në vitin e parë në krye të skuadrës.

Pas humbjes në Paris, Sloti e pranoi se ekipi i tij ishte në “gjendje mbijetese”.

Situata e tij rëndohet edhe më shumë pasi i lirë për ta marrë drejtimin e ekipit është Xabi Alonso, ish-futbollisti i Liverpoolit që vlerësohej edhe si kandidat për ta zëvendësuar Jurgen Kloppin, kur ikona e klubit u largua në vitin 2024. Alonso është pa klub momentalisht, pasi u shkarkua nga Real Madridi këtë sezon dhe gjasat që ai të jetë trajner i ardhshëm janë të mëdha. Alonso e fitoi titullin në Gjermani me Bayer Leverkusenin.

Derisa Liverpooli nuk ka dhënë sinjale se puna e Slotit është në rrezik, holandezi ka bërë të ditur se dështimi për ta siguruar vendin në Ligën e Kampionëve në sezonin tjetër do të ishte i papranueshëm.

Shansi më i mirë për t’u kualifikuar në sezonin tjetër për Liverpoolin do të ishte renditja e mirë në tabelën e ligës. Anglia do ta ketë edhe bonusin e vendit të pestë për t’u kualifikuar në Champions, pas paraqitjeve të mira të skuadrave angleze në Evropë në këtë edicion. Por edhe kjo nuk është e garantuar për Liverpoolin, që aktualisht zë vendin e pestë, me një pikë më shumë mbi Chelsean.

Sloti në muajin shkurt kishte thënë se do t’u duhet thuajse e përkryera nga lojtarët e tij për ta siguruar rikthimin në garën elitare për klube në sezonin tjetër. Liverpooli të shtunën e pret Fulhamin pas tri disfatave rresht në të gjitha garat.

Përballjet kryesore

Arsenali mund ta thellojë edhe më shumë diferencën e pikëve, në 12-të, me vendin e dytë Manchester Cityn, nëse fiton ndaj Bournemouthit. City luan ndaj Chelseat në “Stamford Bridge” të dielën.

Trajneri i ri i Tottenhamit, Roberto De Zerbi, do të jetë në krye të skuadrës për herë të parë në udhëtim te Sunderlandi të shtunën. Klubi shpreson për përgjigje të shpejtë, pasi po lufton për ta shmangur rënien.

Por mund ta shoh veten në njërën prej tre pozitave të fundit, pasi vendi i 18-të, West Ham Unitedi, e pret të premten vendin e fundit, Wolverhamptonin, dhe e ka shansin që ta kalojë Spursin.

Vëmendja te lojtarët

Mohamed Salah do të kthehet në “Anfield” për herë të parë që kur njoftoi se do të largohej nga Liverpooli në fund të sezonit. Mbetet të shihet nëse do të luajë ndaj Fulhamit pasi nuk u përdor ndaj PSG-së, ndonëse ishte rezervist. Forma e humbur nga ai ka qenë faktor në kampanjën dëshpëruese të Liverpoolit, ndërsa hije këtij sezoni i ka hedhur edhe pakënaqësia e tifozëve me Slotin.

Arsenali e Chelsea përballen me mungesa

Arsenali ishte pa Bukayo Sakan dhe Jurrien Timberin ndaj Sportingut të Lisbonës të martën në Ligën e Kampionëve dhe gjendja e tyre do të vlerësohet para ndeshjes me Bournemouthin. Reece James dhe Trevoh Chalobah të Chelseat nuk luajtën në Kupën FA javën e kaluar, në fitoren ndaj Port Vales. Trajneri Liam Rosenior ka thënë se ajo ndeshje për ta ishte shumë e hershme, pasi ende janë në fazë të rikuperimit për shkak të telasheve muskulore, përkatësisht të nyjës së këmbës.

Protesta e tifozëve të Liverpoolit

Tifozët e Liverpoolit planifikojnë protestë për shkak se çmimi i biletave është rritur, duke nisur që nga ndeshja ndaj Fulhamit.

Grupi i tifozëve “The Spirit of Shankly” kanë kërkuar nga tifozët që të mos shpenzojnë para brenda në stadium, për t’iu dërguar mesazh pronarëve amerikanë të klubit.

“Ky është një akt i vogël, por nëse mjaftueshëm njerëz e bëjnë këtë, do të dërgonin mesazh të qartë”, është thënë nga ky grup.