Goditja që mori në kokë gjatë duelit me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli, e më pas përplasja me kokë në tokë, i ka shkaktuar gjakderdhje futbollistit të Gjilanit, Oltion Bilalli.
Bilalli u godit pa dashje me bërryl gjatë një dueli me portierin e Malishevës në minutat e fundit të ndeshjes Gjilani - Malisheva, që i takoi xhiros së 33-të të Superligës së Kosovës në futboll dhe u zhvillua të martën.
Dhe gjendja e futbollistit të talentuar është e rëndë, u bë e ditur të martën mbrëma.
Pasi iu dha ndihma e parë në fushë për shumë minuta, Bilalli u largua me autoambulancë nga fusha me bari sintetik në Gjilan. U nis drejt Spitalit të Gjilanit dhe më vonë për trajtim të mëtejshëm në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka thënë se gjendja e Bilallit, është e rëndë.
“Është gjendje e rëndë. Edhe pse tash për tash është stabile, por është gjendje e rëndë. Është i intubuar, i lidhur në aparat me terapi sedacion analgjetik. Ia kemi bërë disa incizime dhe pas orës 22:00 do t’ia përsëritim për të parë gjendjen e tij e më pas të shohim për hapat e tjerë. Por sipas gjitha gjasave do të vazhdojë me mjekim intensiv qendror”, ka thënë Syla për KOHËN.
Drejtori i klubit Gjilani, Syart Rrahmani, ka folur po ashtu për gjendjen e futbollistit. Ai ka thënë, më herët në mbrëmje, se Bilalli ka gjakderdhje të brendshme në kokë.
“Në bazë të informatave që kemi marrë, Oltioni ka gjakderdhje të brendshme në kokë. Oltionin e kanë nisur për në QKUK në Prishtinë. Sipas mjekëve, ai është jashtë rrezikut për jetën”, ka thënë Rrahmani.
Është ky prej rasteve më të rënda në futbollin kosovar në vitet e fundit, por edhe për periudhë më të gjatë.
Kishte dilema nëse do të vazhdonte ndeshja pas incidentit të rëndë në fushë. Kishte diskutime për disa minuta ndërmjet zyrtarëve të dyja skuadrave me gjyqtarin kryesor. Pas shumë diskutimeve, ndeshja vazhdoi pas 15 minutash ndërprerje. Vazhdimi i ndeshjes u përcoll me reagime të tifozëve.
Rezultati nuk ndryshoi, mbeti 0:0 dhe të dy skuadrat morën nga një pikë.
Komuniteti i sportit, veçanërisht i futbollit në vend, është bashkuar në urimin për shërim të shpejtë të Oltion Bilallit. Kanë reaguar klube, federata e personalitete të ndryshme të futbollit.
Bilalli është 23-vjeçar. Luan si sulmues krahu. Ai më herët ka luajtur edhe në Turqi për Balikesirsporin. Ka luajtur katër ndeshje edhe për Kosovën U21 si dhe grupmoshat U17 dhe U16.