Futboll

Pa Shaqirin nuk ka festë për Baselin

Xherdan Shaqiri

Xherdan Shaqiri nuk është vetëm njeriu i momentit, por lideri i ekipit të Baselit. Asnjë futbollist tjetër në Zvicër nuk ka ndikim më shumë në skuadër sesa Shaqiri te Baseli.

Kështu ka shkruar mediumi “Bluewin” të premten, duke i kushtuar një shkrim të gjatë 34-vjeçarit.

Të enjten mbrëma në Ligën e Evropës, Shaqiri e udhëhoqi Baselin drejt fitores 3:1 ndaj FCSB-së rumune. Ai i shënoi dy gola dhe asistoi në një tjetër.

Shaqiri ka 15 muaj që është kthyer te Baseli. Edhe në edicionin e kaluar, kur Baseli fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës, ishte më i miri në skuadër.

Shaqiri kishte 21 gola e 22 asistime në 39 ndeshje në të gjitha garat e edicionit të kaluar. Në këtë edicion ka 10 gola e 9 asistime në 20 paraqitje. Kjo do të thotë se kapiteni i Baselit është i përfshirë direkt në më shumë se gjysmën e golave të realizuar nga Baseli.

Pas ndeshjes ndaj FCSB-së, Shaqiri nuk u mburr me golat e asistimin. Tha se e rëndësishme është paraqitja e skuadrës.

“Në fund të fundit i fituam tri pikë. Shënuam tre gola dhe i morëm pikët e plota. Do të mund të shënonim edhe dy gola tjerë, padyshim. Dua që në pushimin e përfaqësueseve të shkoj me fitore. Duhet të realizojmë dhe të fitojmë ndaj Luganos”, ka deklaruar Shaqiri.

Baseli të dielën luan në “St. Jakob-Park” ndaj Luganos, në kuadër të xhiros së 13-të të Superligës së Zvicrës. Baseli është i dyti në tabelë me 22 pikë, gjashtë më pak se Thuni.