Granit Xhaka ka luajtur tjetër ndeshje shumë të mirë me Sunderlandin. Të hënën mbrëma, Xhaka e shënoi golin e parë për Sunderlandin, që barazoi 1:1 në shtëpi me Evertonin. Ishte kjo ndeshja e fundit e xhiros së dhjetë të Premier Leagues. Me të nisur pjesa e dytë, Xhaka goditi bukur, ndërsa topi i devijuar nga një mbrojtës i Evertonit përfundoi në rrjetë.
Kapiteni i Sunderlandit tani e ka një gol e tri asistime. Ka luajtur për 90 minuta në të gjitha dhjetë ndeshjet.
Sunderlandi është në pozitën e katërt me 18 pikë, sa i ka edhe kampioni Liverpooli si dhe Bournemouthi. Vetëm Manchester City, 19, dhe Arsenali, 25, kanë pikë më shumë.
Xhaka kishte më së shumti raste të krijuara në ndeshje, pesë, dhe më së shumti ndërhyrje të suksesshme, tri. Ishte një tjetër paraqitje e gjithanshme e 33-vjeçarit, ka shkruar sajti zyrtar i Premier Leagues.
Xhaka megjithatë ishte pak i dëshpëruar në fund.
“Ne gjithnjë duam t’u japim fitore tifozëve tanë, sidomos këtu në shtëpinë tonë. 25 minutat e parë nuk ishin të mirë. Shumë gabime për këtë nivel. Por më pas ishim gjithnjë e më të mirë. Pjesa e dytë ishte pikërisht ajo që na bën të fortë – emocionet, shpirti ekipor, kapaciteti për të luajtur. Ne kemi kualitetin, por në fund duhet ta pranojmë këtë pikë”, ka thënë Xhaka për faqen zyrtare të Sunderlandit.
Ai ka theksuar se është gjithnjë mirë të shënosh golin e parë për ekipin e ri.
“Të gjithë e dinë që jam shumë i lumtur këtu, që mundohem të jap më të mirën, të ofrojë çdo gjë që mundem. Është mëkat që nuk morëm tri pikë, por gjithnjë jam i lumtur të ndihmoj ekipin”, ka theksuar mesfushori.
Xhaka vlerëson se Sunderlandit i mungoi fati për të shënuar golin e dytë në pjesën e dytë, por se ishte me fat që nuk pranoi gol të dytë e të tretë në 25 minutat e parë të ndeshjes. Është “gjysmë i dëshpëruar” dhe “gjysmë i lumtur” për pikën.
Në shtëpi, Sunderlandi është ende i pamposhtur pas kthimit në Premier League. Kapiteni i Zvicrës tregon se që nga fillimi e kanë ditur se duhet të marrin pikë në ndeshjet në shtëpi. Ai e vlerëson shumë të rëndësishme përkrahjen e zjarrtë nga shikuesit. Është optimist se nëse vazhdon si deri më tani, Sunderlandi do t’i realizojë synimet.
Të shtunën Sunderlandi e pret Arsenalin, ish-skuadrën e Xhakës. Arsenali po e udhëheq garën për titull në Angli, ndërsa për Xhakën ndeshja do të jetë emocionale.
“Në fundjavë do të kemi kundërshtar që është shumë i mirë. E njoh shumë mirë, e njoh stafin dhe e di se sa kërkues janë në atë ekip. Do të jetë ndeshje emocionale për mua. Kam kaluar shtatë vjet të pabesueshëm atje. Do të provojmë çdo gjë që të marrim diçka nga kjo ndeshje. E dimë ku janë të mirë lojtarët e Arsenalit dhe ku nuk janë shumë të mirë. Duhet të kemi besim, kemi besim dhe shpresojmë të marrim diçka”, ka theksuar Xhaka.
Trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris edhe një herë ka lavdëruar liderin e tij në fushë.
“Graniti na udhëhoqi në momente të rëndësishme, shfaqi kualitetin e tij në shënimin e golit dhe ishte i rëndësishëm për ne edhe një herë tjetër”, ka theksuar francezi.