Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Përfundon epoka e Mircea Lucescu te Rumania

Mircea Lucescu

Federata e Futbollit e Rumanisë ka njoftuar se ka ndarë rrugët me përzgjedhësin ikonik, Mircea Lucescu.

“Fundi i kësaj kontrate shënon fundin e mandatit të tij të dytë me ekipin përfaqësues”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Rumanisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lucescu në krye të Rumanisë u rikthye në vitin 2024. Lucescu e ka drejtuar Rumaninë si selektor edhe më herët. Ai punoi te Rumani nga viti 1981 e deri në vitin 1986.

Presidenti i Federatës, Razvan Burleanu, vlerësoi pasionin dhe përkushtimin e Lucescut në krye të Rumanisë.

“Mircea Lucescu e pranoi këtë sfidë dhe bëri gjithçka që mundi për Rumaninë. Ai tregoi pasion dhe përkushtim të pakufishëm. Me përpjekjet dhe angazhimin e tij të palodhur në çdo moment, ai demonstroi se çfarë do të thotë dashuria e vërtetë për ekipin përfaqësues dhe futbollin”, ka thënë Burleanu për Federatën e Futbollit të Rumanisë.

Lucescu është legjendë e futbollit rumun dhe jo vetëm. Lucescu ishte i suksesshëm edhe si futbollist. Shumë herë është shpallur trajner i vitit në Rumani e edhe më shumë në Ukrainë.

Lucescu është prej trajnerëve më të mëdhenj që ka ardhur në stadiumin në Prishtinë. Ka drejtuar Rumaninë në dy ndeshjet kundër Kosovës në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Rumania i fitoi dy ndeshjet. Të parën në Prishtinë më 6 shtator, Rumania e fitoi 3:0, ndërsa me rezultat zyrtar 3:0 e fitoi edhe ndeshjen në Bukuresht më 15 nëntor.

Pas disa përplasjeve të lojtarëve në fushë, një grup i tifozëve rumunë nisën thirrjet “Serbia, Serbia”. Lojtarët e Kosovës vendosën të lëshojnë fushën dhe nuk u kthyen edhe kur këtë ua kërkoi gjyqtari i ndeshjes. Ndeshja ishte ndërprerë në minutat e fundit kur rezultati ishte 0:0.

Menjëherë më 20 nëntor 2024, UEFA e regjistroi ndeshjen me rezultat zyrtar 3:0 në të mirë të Rumanisë. Edhe CAS në maj të vitit të kaluar vendosi njëjtë si UEFA. Rezultati 3:0 në të mirë të Rumanisë mbetet në fuqi.

Trajneri 80-vjeçar së fundmi është përballur me probleme shëndetësore. Pak para udhëtimit në Bratislavë për ndeshjen Sllovaki - Rumani, Lucescu u shtri në spital pasi humbi ndjenjat gjatë stërvitjes.

Rumani luajti miqësore ndaj Sllovakisë pas eliminimit nga Turqia në gjysmëfinale të plejofit kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Turqia e mundi Kosovës në Prishtinë 1:0, në finale të plejofit dhe siguroi kualifikimin për Botërorin e këtij viti që mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.