Futboll

Portieri Diant Ramaj rrezikon të dënohet me burg

Diant Ramaj

Policia e Kopenhagës ka nisur një hetim ndaj portierit kosovar të Copenhagenit, Diant Ramaj, për goditjen me kokë që ia ka dhënë portierit rezervë të Brondbyt, Thomas Mikkelsen, pas derbit të xhiros së 25-të të Superligës së Danimarkës më 13 prill.

Ramaj fillimisht kishte kapur për fanelle e më pas kishte goditur me kokë portierin rezervist të Brondbyt.

Në Danimarkë goditja e Ramajt me kokë u cilësua si shkelje, sipas Kodit Penal. Ai menjëherë pas ndeshjes ishte denoncuar në polici nga anëtari i grupit të tifozëve të Brondyt, Aske Stentoft.

Avokatja e Ramajt, Mette Grith Stage, nuk është e befasuar që policia po heton çështjen.

“Kur paraqitet një kallëzim, policia është deri diku e detyruar të shqyrtojë nëse ka diçka për të hetuar, përveç nëse është plotësisht e qartë se kallëzimi mund të hidhet poshtë pa humbur kohë. Por tani ky rast ka qenë në media dhe ka edhe një video të situatës. Prandaj nuk jam e befasuar nga kjo, por mendoj se është për të ardhur keq që policia duhet të përdorë burimet e saj në këtë rast”, thotë Mette Grith Stage për “Ekstra Bladet”.

Edhe pse policia ka nisur një hetim, kjo nuk do të thotë se çështja do të shkojë në gjykatë. Bazuar në provat dhe intervistat, prokurorët e policisë duhet të vlerësojnë nëse ka prova për t’u ngritur akuza.

Dhe nëse çështja përfundon në gjykatë, do të jetë mjaft e pazakontë, thotë Mette Grith Stage.

“Ka pasur më parë raste të dhunës së kryer në ndeshjet e fundit, ku prokurorët kanë refuzuar të ngrenë padi. Në fund të fundit kemi parë një numër të kufizuar çështjesh që kanë përfunduar në gjykatë. Në këtë mënyrë do të ishte paksa e pazakontë”, është shprehur avokatja e portierit Ramaj.

Ajo është e bindur se Ramaj do të përfundojë me një dënim me kusht.

“Mendoj se do të jetë një dënim me kusht në fund të fundit. Normalisht, goditja në kokë të dënon me 30-40 ditë burg, por në këtë situatë, jam mjaft e bindur se rasti do të mbyllet me një dënim me kusht”, ka thënë Mette Grith Stage.

Portieri Ramaj ishte suspenduar me tri ndeshje nga Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Danimarkës.

Portieri Ramaj kompletoi në janar transferimin te Dortmundi. Ramaj u ble për 5 milionë euro nga Ajaxi dhe menjëherë u dërgua në huazim te Copenhageni për të fituar eksperiencë.