Përditësim, 18:33 - Prishtina ka shënuar fitore të vështirë në Klinë ndaj Dukagjinit të dielën, në nisje të sezonit të ri të Superligës së Kosovës në futboll.
“Bardhekaltrit” e kryeqytetit, fitues në fuqi të Kupës së Kosovës, triumfuan me rezultatin 3:2.
Golat në pjesën e parë për Prishtinën i shënuan Mario Ilievski në minutën e dhjetë dhe Blend Baftiu në minutën e 26-të.
Dukagjini i trajnerit Ismet Munishi u kthye në lojë duke e barazuar rezultatin. Meris Maliqi e ngushtoi rezultatin dy minuta pas pushimit, ndërsa për 2:2 realizoi Egzon Sinani, në minutën e 67-të.
Tetë minuta para fundit, Valmir Veliu ia siguroi fitoren ekipit të drejtuar nga trajneri Arsmi Thaqi.
Veliu realizoi në minutën e 82-të për rezultatin 3:2.
Prishtina ishte pjesëmarrëse në kualifikimet e kupave evropiane në këtë edicon.
Pasi u eliminua nga Sheriff Tiraspoli moldav në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Evropës, u bart në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës.
Megjithatë, u eliminua nga Larne e Irlandës së Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pas ekzekutimit të penalltive.
Humbja nga Larne u vlerësua shumë e rëndë nga njohës të futbollit në Kosovë.
Prishtina e kthen epërsinë
Përditësim, 18:13 - Prishtina e ka kthyer epërsinë 3:2 ndaj Dukagjinit. Golin e shënoi Valmir Veliu në minutën e 82-të.
Barazon Dukagjini
Përditësim, 17:58 - Dukagjini e ka barazuar rezultatin në 2:2 ndaj Prishtinës.
Golin e barazimit për skuadrën nga Klina e shënoi Egzon Sinani në minutën e 67-të.
Dukagjini ngushton rezultatin
Përditësim, 17:41 - Skuadra e Dukagjinit e ka ngushtuar rezultatin ndaj Prishtinës.
Për 2:1 realizoi Meris Maliqi në minutën e 47-të.
Prishtina mbyll pjesën e parë me epërsi prej dy golave
Përditësim, 17:26 - Prishtina po fiton 2:0 ndaj Dukagjinit pas pjesës së parë. Mario Ilieski (10’) dhe Blend Baftiu (26’) realizuan për Prishtinën.
Edhe Prishtina e Re është në epërsi prej një goli pas pjesës së parë ndaj Malishevës. Toni Gomes (45+2') realizoi për Prishtinën e Re.
Baftiu shënon, Prishtina dyfishon rezultatin
Përditësim, 16:59 - Prishtina e ka shënuar edhe golin e dytë ndaj Dukagjinit.
Për 2:0 realizoi Blend Baftiu në minutën e 26-të.
Prishtina në epërsi
Prishtina ka kaluar në epërsi ndaj Dukagjinit.
Për 1:0 realizoi Mario Ilievski në minutën e dhjetë.
Kjo është xhiroja e parë që po zhvillohet në edicionin e ri të Superligës së Kosovës në futboll.