Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, e ka publikuar të premten listën e futbollistëve të ftuar për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese të Botërorit 2026.
Janë kthyer lojtarë të rëndësishëm, por ka edhe emra të rinj e mungesa.
Më 10 tetor, Kosova përballet me Slloveninë në “Fadil Vokrri”, ndërsa më 13 tetor luan me Suedinë në Goteborg.
Ndeshjet i takojnë Grupit B.
Te Kosova janë kthyer Edon Zhegrova dhe Milot Rashica. Zhegrova mungoi muajin e kaluar pasi nuk ishte plotësisht i gatshëm për lojë pas transferimit te Juventusi, ndërsa Rashica ishte i lënduar.
Kapiteni Amir Rrahmani u lëndua në duelin ndaj Zvicrës dhe mungoi ndaj Suedisë. Ai nuk është përfshirë as për ndeshjet e radhës, që vlerësohen vendimtare për Kosovën në rrugëtimin drejt Botërorit 2026. Mungojnë edhe Leart Paqarada e Baton Zabërgja, që janë të lënduar e po ashtu Emir Sahiti e Florent Hadërgjonaj.
Risi në listën e Fodas, ashtu si pritej, është Albian Hajdari. Mbrojtësi i Hoffenheimit la Zvicrën për Kosovën.
Në listë janë përfshirë edhe mbrojtësit Kreshnik Hajrizi dhe Leard Sadriu.
Është ftuar edhe Lindon Emërllahu, i cili nuk do të ketë të drejtë loje ndaj Sllovenisë, për shkak se në ndeshjen e fundit u përjashtua me të kuq.
Nuk janë ftuar Arbër Zeneli e Bersant Celina, me të cilët kryetari i FFK-së, Agim Ademi, u takua kohë më parë. Celina është në listën rezervë.
Grumbullimi zyrtar i 27 futbollistëve të ftuar nga Foda është të hënën. Stërvitja e parë zhvillohet nga ora 17:00 në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali.
Pas dy xhirove, grupit kualifikues i prin Zvicra me gjashtë pikë.
Tre pikë i ka Kosova në pozitën e dytë, ndërsa Suedia dhe Sllovenia kanë nga një pikë në vendin e tretë dhe të katërt.
Kosova e nisi ciklin kualifikues me humbjen 4:0 nga Zvicra në Basel. Më pas fitoi 2:0 fitoi ndaj Suedisë në Prishtinë.
Lista e Kosovës për ndeshjet ndaj Sllovenisë e Suedisë
Portierë: Arijanet Muriq, Amir Shaipi, Visar Bekaj
Mbrojtës: Mërgim Vojvoda, Florian Haxha, Lumbardh Dellova, Ilir Krasniqi, Kreshnik Hajrizi, Fidan Aliti, Albian Hajdari, Ron Raçi, Dion Gallapeni, Leard Sadriu
Mesfushorë/sulmues: Ermal Krasniqi, Muharrem Jashari, Milot Rashica, Valon Berisha, Leon Avdullahu, Veldin Hoxha, Elvis Rexhbeçaj, Lindon Emërllahu, Meriton Korenica, Edon Zhegrova, Florent Muslija, Vedat Muriqi, Fisnik Asllani, Albion Rrahmani
Lista rezervë
Faton Maloku, Kreshnik Krasniqi, Behar Neziri, Ismet Lushaku, Bledian Krasniqi, Andi Hoti, Rilind Nivokazi, Bersant Celina, Donat Rrudhani