Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Pyetja gjithnjë e më aktuale: a është Juventusi ekipi i duhur për Zhegrovën?

Edon Zhegrova

Juventusi po e vazhdon garën e fortë për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve. Por kryesisht pa Edon Zhegrovën.

Juve të hënën mbrëma fitoi 2:0 ndaj Genoas. Dhe reprezentuesi i Kosovës e pa fitoren nga stoli.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në ndeshjen e kaluar në Serie A, ndaj Sassuolos më 21 mars, Zhegrova ishte aktivizuar në minutën e 88-të. E kishte zëvendësuar portugezin Francisco Conceiçao.

23-vjeçari Conceiçao startoi në krahun e djathtë të sulmit, në pozitë të Zhegrovës, edhe ndaj Genoas. E bëri një asistim, kishte paraqitje pozitive dhe la fushën në minutën e 83-të. Por në vend të portugezit u aktivizua italiani 22-vjeçar, Fabio Miretti. Jo kosovari.

Aktualisht Zhegrova nuk shihet pretendent për të startuar te Juve, ndonëse nuk ka raportime për ndonjë shqetësim fizik të 27-vjeçarit.

Para takimit me Sassuolon, Zhegrova qëndroi në stol në ndeshjet ndaj Pisas dhe ndaj Udineses. Pak më shumë kishte luajtur ndaj Romës më 1 mars dhe sidomos ndaj Galatasarayt në Ligën e Kampionëve më 25 shkurt.

Juve u eliminua nga Championsi e më pas hapësira për sulmuesin e krahut u limitua.

Zhegrova kryesisht solli ndikimin e pritur sa herë që është aktivizuar. Ka bërë krosime të mira e vendimtare. Driblime e shpërthime në zonë. Por në 13 paraqitje në Serie A, në dy paraqitje për Kupë të Italisë dhe në gjashtë paraqitje në Champions nuk ka të evidentuara gola dhe asistime.

Juve i ka edhe shtatë ndeshje deri në fund të edicionit. Do të jenë edhe shtatë mundësi për Zhegrovën për të dëshmuar se është i vlefshëm për skuadrën e madhe nga Torino. Për momentin, pyetja, me gjasë e drejtë, është nëse Juventusi është ekipi i duhur për Zhegrovën.

“Ai nuk bie në grackën e egoizmit, duke i mundësuar McKenniet golin për 2:0. Shkëlqen me punën pa top, me një seri rikuperimesh që i lejojnë Juventusit të rifillojë me shpejtësi. Në pjesën e dytë e ul ritmin dhe trajneri e fton në stol”, shkruan në vlerësimin e TuttoSport për Conceiçaon.

Ky medium është i afërt me Juventusin. Dhe ka vlerësim pozitiv për rivalin direkt të Zhegrovës për pozitën e startuesit.

Trajneri i Juventusit, Luciano Spalleti, madje është pyetur për një krahasim të Conceiçaos me yllin Mohamed Salah.

“Është një krahasim i drejtë sepse Francisco është lojtar i ri dhe ende ka shumë për të mësuar si dhe për ta bindur veten se mund të luajë në fushë. Në shtatë apo tetë situata ai ishte i rrezikshëm, por duhet t’i përmirësojë vendimet e tij”, ka thënë Spalletti, duke përmendur edhe aspekte të lojës në të cilat duhet të përmirësohet Conceiçao.

Kontrata e Zhegrovës me Juventusin është e vlefshme deri në vitin 2030. Madhështia e klubit nuk diskutohet. Privilegji për të qenë pjesë e Juventusit të famshëm po ashtu. Por në moshën 27-vjeçare ka shumë që e vënë në dyshim nëse Zhegrova është në klubin e duhur për të.