Qeveria e Gabonit ka hequr sanksionet që i kishte vënë ndaj ekipit përfaqësues të këtij vendi dhe ndaj sulmuesit Pierre-Emerick Aubameyang, pas eliminimit të hershëm në kupën e Afrikës në futboll.
Paraqitja e Gabonit në Kupën e Afrikës në Marok ishte vlerësuar e turpshme nga qeveria e këtij shteti.
Gaboni kishte mbetur i fundit në Grupin F.
Ministri i sportit, Simplice-Desire Mamboula kishte njoftuar për suspendimin e ekipit, shkarkimin e trajnerit Thierry Mouyouma dhe përjashtimin e ish-sulmuesit të Arsenalit dhe Chelseat, Aubameyang dhe kapiteni Bruno Ecuele Manga.
Ndërkohë ministri i sportit i Gabonit është ndryshuar. Dhe ministri i ri, Paul Ulrich Kessany ka anuluar masat që do të mund të sillnin suspendimin e federatës së Gabonit nga FIFA.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka qëndrim të qartë dhe të fuqishëm lidhur me përzierjen e qeverive në drejtimin e organizatave nacionale të futbollit.
Federata e Futbollit e Gabonit ka thënë se ministri i ri, Kessany, ka përmendur afatet e ardhshme, përfshirë shortin kualifikues për Kupën e Afrikës 2027, në një letër drejtuar organizatës.
“Federata mirëpret zgjedhjen pozitive të situatës së krijuar” shkruan në një deklaratë.
Ministri i ri ka kërkuar nga federata që të bëjë propozime për të zgjedhur stafin e ri të trajnerëve të përfaqësueses.
Kupa e Afrikës është duke u zhvilluar ende. Gara e deritashme është vlerësuar shumë e mirë, e po ashtu organizimi i Marokut.
Katër prej përfaqësueseve më të mira afrikane, të mbushura me yje të futbollit, do të paraqiten në gjysmëfinale.
Të dy gjysmëfinalet janë të mërkurën.
Prej orës 18:00 në Tangier takohen Senegali dhe Egjipti i Mohamed Salahut. Ndërkohë Nigeria e Maroku takohen nga ora 21:00 në Rabat. Të dielën nga ora 20:00 në Rabat është finalja e madhe e Kupës së Afrikës. Kjo ngjarje po fiton shumë në rëndësi nga edicioni në edicion.