Futboll

Ramadani synon fitore me Shqipërinë ndaj Italisë

Ylber Ramadani

Mesfushori i Lecces, Ylber Ramadani, ka vlerësuar lart Përfaqësuesen e Italisë. Por ai ka thënë se me Shqipërinë synojnë fitore përballë Italisë në “Euro 2024”. 

Shqipëria luan kundër Italisë më 15 qershor në Dortmund të Gjermanisë. Në Grupin B të “Gjermania 2024” janë edhe Spanja dhe Kroacia.

“Do të jetë një ndeshje e bukur për mua. Unë luaj në Itali dhe Italia është një përfaqësuese e fortë. Por ne do të hyjmë në fushë për të fituar ndeshjen”, ka thënë Ramadani.

Ai ka vlerësuar edhe dy mesfushorët e tjerë të Shqipërisë, Kristjan Asllanin e Interit dhe Nedim Bajramin e Sassuolos. 

Ramadani, Bajrami e Asllani kanë luajtur përkrah njëri-tjetrit së fundi me fanellën e Shqipërisë. Treshja është vlerësuar lart.

“Unë luaj edhe me Asllanin dhe Bajramin në Kombëtare. Sa i takon Lecces, me Alexis Blin kam më shumë besim në mbrojtje dhe jam i lirë të shkoj më përpara për të rikuperuar topin”, është shprehur Ramadani.

Ai është pyetur nëse i mungojnë golat.

“Doja të shënoja, por ata shpëtuan”, i është referuar Ramadani ndeshjes kundër Romës. Ai pati paraqitje të mirë ndaj Romës të hënën mbrëma. Ndeshja përfundoi pa gola.

“Ne filluam në dhjetë minutat e para pa ushtruar mirë presion, por më pas morëm kontrollin e lojës. Ndjeva se mund ta fitonim. Ata patën dy raste, por ne mund të kishim rrëmbyer tri pikë”, ka theksuar Ramadani. 

Ramadani 27-vjeçar me fanellën e Lecces ka shënuar një gol në 28 ndeshje në Serie A. 

“Më pëlqen kur marrim topin, gjithmonë dua të shkoj përpara për të shënuar gola”, ka thënë kosovari. 
Ramadani iu bashkua Lecces në gusht të vitit të kaluar nga skuadra elitare e Skocisë, Aberdeen. Ka luajtur edhe për MTK Budapestin në Hungari, Vejlen në Danimarkë, Partizanin e Tiranës, Dritën, Prishtinën dhe Ferizajn në Kosovë.