Real Madridi është afër triumfit në La Liga, ndërsa është në ndjekje edhe të një tjetër trofeu në Ligën e Kampionëve.
Fituesi i 14 trofeve të Championsit mund të triumfojë në elitën spanjolle të shtunën, në shtëpi kundër Cadizit.
Por, i duhet edhe një rezultat i favorshëm në ndeshjen Girona – Barcelona.
Ndeshja Real Madrid – Cadiz nis në orën 16:15 dhe i takon xhiros së 34-t të La Ligas, kurse Girona – Barcelona luhet të njëjtën ditë, por nga ora 18:30.
Titullin e 36-të, kur kanë mbetur edhe katër xhiro, Real Madridi mund ta fitojë në dy skenarë.
Madrilenëve u duhet fitorja ndaj Cadizit dhe u duhet që Barcelona të mos e mposhtë Gironan.
Skenari tjetër është nëse Reali barazon me Cadizin, dhe Barcelona humb nga Girona.
Real Madridi prin në tabelë me 84 pikë, 11 më shumë se Barcelona e vendit të dytë.
Reali e kreu detyrën me sukses në dy ndeshjet vendimtare të këtij viti, kur mposhti Gironan dhe Barcelonën në “El Clasico”.
Megjithatë, Real Madridi prioritet e ka Ligën e Kampionëve.
Në gjysmëfinalen e parë të Championsit barazoi 2:2 në udhëtim te Bayern Munichu, falë dy golave të shënuar nga Vinicius Junior.
Ndeshja kthyese Real Madrid – Bayern Munich luhet të mërkurën.
Fituesi i këtij ballafaqimi luan me fituesin e ndeshjes Paris Saint-Germain – Borussia Dortmund, në finalen që luhet në “Wembley” më 1 qershor.
Skuadra e Carlo Ancelottit, e udhëhequr në fushë nga Jude Bellingham, Vinicius dhe Toni Kroos, e ka humbur vetëm një ndeshje nga 33 sa i ka zhvilluar në kampanjën aktuale.
Kundër Cadizit pas një kohe të gjatë shkaku i lëndimit, pritet të kthehet në portë portieri Thibaut Courtois.
Atletico Madridi do të luajë te Mallorca të shtunën nga ora 21:00, dhe synon të fitojë për ta arritur vendin e katërt që dërgon në Champions.