Futboll

Rrahmani afër vazhdimit të kontratës

Amir Rrahmani

Vazhdimi i kontratës së Amir Rrahmanit me Napolin do të bëhet zyrtar shumë shpejt.

Kështu ka raportuar të shtunën “Il Matino”.

Mediumi italian ka shkruar se kapiteni i Kosovës e ka dëshirën që të vazhdojë me Napolin, skuadrën ku i fitoi dy tituj të Serie A.

“Ai ende nuk mund të tregojë se kur do të kthehet në fushë për shkak të lëndimit muskulor, por shpejtë do të bëhet zyrtar lajmi për vazhdimin e kontratës. Ai do të mbetet te Napoli edhe për një vit tjetër. Rinovimi i kontratës është gati. Kontrata aktuale e tij skadon në vitin 2027. Por, ai do të jetë pjesë e Napolit deri në vitin 2028, kur Rrahmani të jetë gati 34-vjeçar. Dhe për më shumë, ai do ta ketë opsionin e vazhdimit të kontratës me ‘blutë’ edhe për një edicion tjetër. Por në çdo rast, mbrojtësi me 177 paraqitje, në sezonin e gjashtë me Napolin, tani është i paprekshëm dhe do të marrë atë që e kërkon. Paga e tij do të jetë pak a shumë e njëjta. Me 4.1 milionë euro në sezon, ai është në mesin e më të paguarve në skuadër”, ka shkruar “Il Matino” të shtunën.

Po ashtu, mediumi italian ka nënvizuar se bisedimet për vazhdimin e kontratës kanë qenë shumë të mundimshme, por tani Rrahmani mund të pensionohet në Itali te Napoli.

Rrahmani 31-vjeçar ka 12 gola të shënuar me fanellën e Napolit, ndërsa ka kontribuuar edhe me pesë asistime.

Për shkak të lëndimit të pësuar në duelin e Kosovës me Zvicrën në Basel muajin e kaluar, Rrahmani ka munguar në gjashtë ndeshje të Napolit.