Mohamed Salah u ka kërkuar falje bashkëlojtarëve të tij pas problemeve të fundit që u shfaqën, ka theksuar mesfushori i Liverpoolit, Curtis Jones.
Në një intervistë, Salah kishte thënë se gishti i ishte drejtuar atij për rezultatet negative.
Pas intervistës u tha se marrëdhënia e sulmuesit egjiptian me trajnerin holandez, Arne Slot, nuk ishte aspak e mirë.
Salah i kishte bërë këto komente pas barazimit 3:3 me Leeds Unitedin më 6 dhjetor. Ai nuk kishte luajtur fare në atë ndeshje, ndërsa nuk ishte ftuar për ndeshjen e Championsit ndaj Interit. Si zëvendësues më pas luajti në fitoren në shtëpi ndaj Brightonit.
“Mo na ka kërkuar falje të gjithëve për ato situata. Ky është Salah. Ai është me ne dhe këtë e ka shfaqur. Ka qenë edhe pozitiv, i njëjti si më parë. Ai ka qenë i qeshur dhe të gjithë jemi me të”, ka deklaruar Jones, shkruan BBC të shtunën.