Futboll

Shënoi gol për Gjermaninë në Evropianin U21, talenti i madh mund t’i bashkohet Shqipërisë

Nelson Weiper

Nelson Weiper

Nelson Weiper është prej futbollistëve më të talentuar në Gjermani. Shtatlarti 20-vjeçar luan në sulm, ndërsa aktualisht është me Gjermaninë U21 në Kampionatin Evropian në Sllovaki.

Madje Weiper shënoi gol për Gjermaninë ndaj Anglisë, të mërkurën mbrëma, më fitoren 2:1. Gjermania e fitoi Grupin B dhe në çerekfinale do të përballet me Italinë, të dielën.

Ndonëse emri nuk i tregon, futbollisti i gjatë 192 centimetra ka prejardhje edhe shqiptare. Nëna e lojtarit të Mainzit, Nelson Weiperit, është shqiptare. Kështu në të ardhmen ai mund të luajë për Shqipërinë.

Por Weiper opsion të parë e ka Gjermaninë. Ka luajtur për të gjitha grupmoshat e Gjermanisë. Me U17 i kishte realizuar 13 gola në 15 paraqitje. Me U18 të Gjermanisë e shënoi një gol, ndërsa me Gjermaninë U20 i ka tre gola. Weiper tani i ka tetë paraqitje e një gol me Gjermaninë U21.

Në Evropianin e Shpresave po paraqitet për herë të dytë. Ka luajtur në vitin 2023, ndërsa është në opsion edhe për “Euro 2027”. Në Evropianin aktual të 21-vjeçarëve, Nelson Weiper ka një gol e një asistim. Është paraqitur në tri ndeshjet në grup. Në dy të parat ishte zëvendësues e ndaj Anglisë startoi.

Mediumi i madh gjerman, Kicker, ka shkruar të premten për mundësinë që Weiper të luajë për Shqipërinë.

“Nga Shqipëria më kanë kontaktuar dhe tashmë më duan në ekipin nacional senior. Është vërtet burim i krenarisë kur një ekip nacional senior të dëshiron”, ka thënë Weiper për “Kicker”.

Por Gjermania mbetet prioritet.

“Dua të shfaq talentin tim në ekipin U21 të Gjermanisë dhe të luajë për Gjermaninë sa më gjatë të jetë e mundur”, ka shtuar Nelson Weiper.

“Kicker” ka shkruar se gjërat mund të bëhen serioze edhe me Shqipërinë.

“Nëse në një pikë gjërat nuk funksionojnë për Gjermaninë, e shoh atë si opsion shumë të mirë”, ka thënë Weiper për Shqipërinë.

Derisa një lojtar të luajë ndeshje garuese për përfaqësuesen e të rriturve, mund të ndryshojë ekipin përfaqësues. Rrjedhimisht Shqipëria është opsion edhe për Brajan Grudën, që po ashtu është pjesë e U21 të Gjermanisë dhe luan për Brightonin në Premier League.

Edhe Gruda është rritur te Mainzi. Gruda është i përkushtuar që ta kërkojë rastin te Gjermania A. Ai vjet ishte në stërvitje me seniorët e Gjermanisë, por nuk ka debutuar ende.

Nelson Weiper tashmë i ka 37 paraqitje në Bundesligë, ndërsa ka realizuar pesë gola e dy asistime. Me zhvillimin aktual dhe nëse vendos për Shqipërinë, do të ishte përforcim i madh për sulmin e kuqezinjve.

Vëllai i Nelson Weiperit, Henriku, ka paraqitje si portier për Kosovën U16 dhe Shqipërinë U19.