Futboll

Shqipëria e gatshme për ndeshjen e rëndësishme

Shqiperia

(KD) – Përzgjedhësi i Shqipërisë në futboll, Sylvinho, pranon se një humbje apo edhe barazim ndaj Letonisë të martën në Tiranë do t’ua zbehte shumë gjasat kuqezinjve për kualifikim në Kupën e Botës 2026.

Sylvinho e ka cilësuar ndeshjen kundër Letonisë si vendimtare për rrugëtimin e Shqipërisë në kualifikimet për Botërorin e vitit të ardhshëm.

Ai ka vlerësuar Letoninë, por ka shtuar se Shqipërisë i duhet fitorja për të mbajtur gjallë shpresat për të siguruar vendin e dytë në grup.

Ndeshja Shqipëri – Letoni luhet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Air Albania” dhe i takon grupit K.

Shqipëria është e treta me pesë pikë nga katër ndeshje. Anglia është në vendin e parë me 12 pikë nga katër ndeshje, kurse Serbia pozicionohet në vendin e dytë me shtatë pikë nga tri ndeshje. Letonia është e katërta me katër pikë nga katër ndeshje, derisa Andorra është përfaqësuesja e vetme në grup pa pikë.

“Kur mundohesh të shkosh në Botëror, rruga është e vështirë. E dimë shumë mirë, nesër do të jetë një ndeshje kyç, shumë e rëndësishme. Ne dy ditë më parë pamë ndeshjen Letoni - Serbi.  Ndeshje shumë e vështirë, deri në fund të 90 minutave ishte e hapur. Nuk mund të thuash në futbollin modern që fitohet me 5:0 apo 6:0. Mund të ndodhë si dje, por jo në futbollin normal, nuk jemi në të njëjtin nivel. Gjithçka është e hapur, duhet të përballemi me skuadra të vështira, fizike, të organizuara”, ka thënë Sylvinho në konferencë për media.

Ai ka theksuar se armë e fortë e letonezëve janë goditjet standarde.

“Ata nuk shqetësohen nëse është 0:0 apo 0:1, qëndrojnë në lojë, me goditje standarde janë të rrezikshëm. Golat që kanë shënuar kanë qenë tre me goditje standarde, janë shtatlartë. Jemi përgatitur për nesër, do të jetë e vështirë, por do të jetë një ndeshje kyç për ne”, ka theksuar Sylvinho.

Ai ka paralajmëruar ndryshime nga ndeshja miqësore, të cilën Shqipëria e fitoi ndaj Gjibraltarit, 1:0.

Sylvinho ka thënë se fati i ndeshjes kundër Letonisë është në dorën e lojtarëve kuqezi.

“Është gjithmonë moment i mirë kur ti e ke në dorën tënde situatën dhe sigurisht është një ndeshje e rëndësishme dhe kyç. Duhet të përgatitemi që të japim një performancë të mirë në 90 minuta dhe të tentojmë të fitojmë nesër”, ka theksuar Sylvinho.

Kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimshiti, ka pranuar se janë në presion të rezultatit.

“Sigurisht që ekipi është përgatitur mirë, kemi pasur kohë, jemi pozitivë. Nuk do të jetë e lehtë. Kemi presion dhe përqendrimi do të jetë i lartë. Do të marrim tri pikë për të vazhduar rrugëtimin tonë”, ka thënë Gjimshiti.

Shqipëria luajti baras ndaj Letonisë në ndeshjen e parë në Riga më 10 qershor. Ndeshja kishte përfunduar baras, 1:1.

“Sigurisht që kemi parë ndeshjet, jo vetëm atë, por edhe ndeshjen e fundit që luajti me Serbinë. Ajo që luajtëm atje nuk ishte e mirë, sigurisht që kemi gabuar, sidomos në futbollin e sotëm nuk është më aq e thjeshtë si para disa vitesh ku fitoje thjesht. Duket edhe në ndeshjet e këtyre eliminatoreve, pashë Holandën dje me Lituaninë që fitoi 3:2. Por nesër besoj se do të jetë ndryshe, na duhen tri pikët që të kemi shanse për kualifikim, e kemi vetë në dorë ende dhe ajo që është gjëja e rëndësishme”, është shprehur Gjimshiti.

Ai ka thënë se dëshira për të fituar është e madhe te lojtarët e Shqipërisë.

“Dëshira është shumë e madhe, do të jetë ndeshje e madhe. Kundër Gjibraltarit kishte disa lojtarë të rinj se çfarë mund të jepnin, por ndeshja e nesërme do të jetë ndryshe. Ky është rasti më i bukur që kemi për të shkuar atje dhe motivimi është shumë i lartë”, ka thënë Gjimshiti.

Krahas barazimit në qershor, Shqipëria ka luajtur baras me Letoninë edhe në katër ndeshje të tjera. Shqipëria synon të fitojë për herë të parë ndaj Letonisë dhe të vazhdojë ëndrrën për kualifikim në Botëror.

Në Evropian është paraqitur dy herë.