Futboll

Shqipëria shkëlqen në nisje të Ligës së Kombeve

Shqiperia

Foto: Associated Press

Shqipëria kishte shumë mungesa para ndeshjes së parë të edicionit të ri të Ligës së Kombeve. Por, edhe pse pa kapitenin Berat Gjimshiti e sulmuesin Armando Broja, Shqipëria ka shkëlqyer të shtunën mbrëma në Pragë të Republikës së Çekisë, kur e mposhti në udhëtim Ukrainën.

“Kuqezinjtë” e drejtuar nga selektori brazilian Sylvinho, fituan me rezultatin 2:1, me rikthim të rezultatit. 

Yukhym Konoplya katër minuta pas pushimit shënoi për ukrainasit, por golat nga qendërmbrojtësi Ardian Ismajli në minutën e 54-t dhe Jasir Asanit në minutën e 66-të, ia siguruan pikët e plota Shqipërisë. Shqipëria dhe Gjeorgjia që më herët fitoi 4:1 ndaj Republikës së Çekisë, i prinë Grupit 1 të Ligës B të Ligës së Kombeve me nga tri pikë. Pikërisht me Gjeorgjinë në Tiranë, Shqipëria do të përballet më 10 shtator në stadiumin “Air Albania”.  

Shqipëria që në Evropianin 2024 në Gjermani pati paraqitje të mirë, ndonëse nuk e kaloi fazën grupore ku ishin edhe Spanja, Italia dhe Kroacia, fitoi ndaj Ukrainës në tentimin e shtatë në ndeshjet e ndërsjella. Ndeshja u zhvillua në Pragë për shkak të luftës në Ukrainë. 

Në pjesën e parë, Shqipëria rrezikoi disa herë me Qazim Laçin e Rey Manajn, por gola nuk pati. 

Shqipëria u zu në befasi me golin që e shënoi mbrojtësi i krahut të djathtë Konoplya, i cili edhe e shfrytëzoi reagimin jo të mirë të portierit Thomas Strakosha. 

Por më pas Ismajli dhe Asani shënuan gola me gjuajtje të sakta nga zona për pikët e plota që në fillim të kampanjës së re të Ligës së Kombeve.

Lexo përditësimet tjera
Shqiperia

Shqipëria shkëlqen në nisje të Ligës së Kombeve