Mediumi zviceran “Sport” të enjten ka publikuar listën e 15 lojtarëve që kanë dhënë kontributin më të madh për skuadrat e tyre në elitën e futbollit helvetik. Tre prej tyre janë shqiptarë.
Baseli, që është i pari në Superligën e Zvicrës me 61 pikë, aktualisht e ka sulmin më të mirë me 72 gola të shënuar. 33-vjeçari Xherdan Shaqiri ka qenë i përfshirë direkt në 31 prej këtyre golave. Kontributi i tij është 43.1 për qind, për shkak të 14 golave dhe 17 asistimeve në 29 ndeshje.
Vendin e 12-të në këtë listë e zë reprezentuesi i Kosovës, Donat Rrudhani.
Rrudhani ka kontribut në 23 për qind të golave të shënuar për skuadrën e Luzernit, që zë vendin e katërt me 51 pikë.
Rrudhani 25-vjeçar, i ka nëntë gola e pesë asistime në 26 paraqitje në Superligë.
Bledian Krasniqi, që aktivizohet te Zurichu, i ka pesë gola e po aq asistime në 29 ndeshje të luajtura në Superligë. Përfshirja e mesfushorit 23-vjeçar në 44 golat e Zurichut është 22.7 për qind.