Pas tetë paraqitjeve si zëvendësues, më në fund Edon Zhegrova do të luajë nga fillimi për skuadrën e madhe italiane, Juventus.
Juve të mërkurën prej orës 21:00 e pret Pafosin qipriot në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Kampionëve. Dhe ylli i Kosovës do të jetë në fushë nga minuta e parë.
Këtë e ka bërë të ditur të martën në konferencë për shtyp trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti. Ai është pyetur nga gazetarët nëse do të ketë ndryshime në formacion.
“Natyrisht, disa gjëra do të ndryshojnë. Për të thënë diçka që mund të jetë shumë e rëndësishme, Zhegrova do të luajë nga fillimi”, ka theksuar Spalletti.
26-vjeçari i ka katër paraqitje në Serie A. Ka një ndeshje për Kupë të Italisë dhe tri të tjera në Champions. Por vazhdimisht ka luajtur si zëvendësues, me arsyetimin se nuk është i përgatitur për më shumë.
Por Zhegrova vazhdimisht ka shkëlqyer në minutat që i janë ofruar. Dhe presioni te Spalletti, sidomos nga tifozët, është rritur shumë. Ai më në fund ka vendosur që ta aktivizojë kosovarin nga fillimi.
Një gazetar ka komentuar duke thënë që shumë njerëz e kanë pritur këtë moment, ndërsa i është drejtuar Spallettit se gjendja e Zhegrovës po përmirësohet.
“Atij iu desh të mos stërvitej edhe javën e kaluar. Nëse i bën testet, ai nuk është në formë të mirë, kështu që ka edhe një argument të dyfishtë. E vendos në një pozicion për të luajtur në gjysmëorën e fundit, gjë që ai patjetër do ta bëjë mirë, ose e shfrytëzoni derisa luan dhe më pas e zëvendësoni. Dhe këtë herë dua që ta bëj në këtë mënyrë, pasi djaloshi këtë e meriton. Angazhohet shumë, por e ka pasur këtë problem dhe momentalisht statistikat nuk e shfaqin atë në formë të shkëlqyer. Por kemi pesë zëvendësime dhe do të punojmë në këtë më pas”, ka theksuar Spalletti.
Së fundi Zhegrova u aktivizua të dielën ndaj Napolit. Ndonëse luajti pak, kishte disa momente të mira. Para se të transferohej te Juventusi, Zhegrova mungoi që nga mesi i dhjetorit të vitit të kaluar për shkak të një lëndimi në pjesën e poshtme të barkut. Ai lëndim dhe mungesa e gjatë kishin ndikim.
Dhe Zhegrova të mërkurën mbrëma do të ketë rast të dëshmojë që mund të përballojë më shumë minuta, duke e mbajtur nivelin e lartë të paraqitjes.
Pafosi ka shfaqur rezultate të mira në Champions. Ka një fitore, tri barazime e vetëm një humbje. Bilanc të njëjtë ka edhe Juventusi.