Futboll

Stërviti me Ronaldon, tani Kameraj punon në ndërtimtari

Çëndrim Kameraj

Çëndrim Kameraj u lind në Luzern të Zvicrës, por me origjinë është nga Kosova. Ai ka luajtur për grupmoshat e reja të Zvicrës, ndërsa në vitin 2019 luajti një ndeshje për grupmoshën U21 të Kosovës. Vlerësohej me potencial shumë të madh.

Megjithatë, karriera e Kamerajt në futboll përfundoi në vitin 2024, në moshën 25-vjeçare.

Kameraj çmohej për talentin që kishte. Ofrimi i kontratës nga Juventusi e dëshmon këtë. Ai kaloi disa vjet te Juve, kurse stërviti me superyje si Cristiano Ronaldo. Megjithatë, lëndimet e shumta e kanë frenuar karrierën e Kamerajt. Ai në fund u dorëzua dhe e la në gjysmë ëndrrën.

Juventusi e mori Kamerajn në Torino kur futbollisti ishte në grupmoshën e juniorëve. I luajti 18 ndeshje me ekipin e të rinjve të Juves dhe i realizoi dy gola. Ka luajtur vetëm një herë për “Primaveran”. Juventusi do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tij.

“Kam pasur kohë shumë të mirë te Juventusi. E dija se ishte vështirë të depërtoja në ekipin e parë, sepse Juventusi blen lojtarë nga e gjithë bota. Jam shumë i lumtur që ia dola të jem pjesë e atij klubi dhe të stërvitem me lojtarë si Ronaldo, Miralem Pjaniq e Paulo Dybala. Kam mësuar shumë prej tyre”, thotë Kameraj, shkruan të premten “Slobodna Dalmacija”.

Kameraj tani është 26-vjeçar dhe punon në ndërtimtari, duke fituar para me nder. Ai është i vetëdijshëm se gjithçka ka mundur të ishte ndryshe.

“Njerëzit e shfrytëzojnë mundësinë për ta tallur atë, por ky është realiteti i sportit në nivelin më të lartë. Vetëm disa lojtarë mund t’ia dalin. Ai mund të shikojë prapa dhe të jetë krenar, pasi dha gjithçka që kishte dhe ka punuar fort për t’i ndjekur ëndrrat që kishte”, shkruan në një postim të një llogarie në platformën “X”, që i ka dalë në mbrojtje.

Kameraj nuk turpërohet për jetën që bën aktualisht. Ai thotë se është krenar për çdo gjë nëpër të cilën ka kaluar.

“Nuk jemi të lindur të gjithë nën yllin e njëjtë”, thotë tashmë ish-futbollisti.

Është fakt që disa ia arrijnë t’i shkojnë rrugëtimit deri në fund. Shumë prej tyre nuk ia dalin ta kalojnë rrugën e vështirë. Kameraj dha gjithçka që kishte, por lëndimet e penguan.

Kameraj për një edicion provoi të luante edhe në elitën e futbollit kosovar.

Ai i ishte bashkuar Dukagjinit në fillim të edicionit 2022/23. Por nuk pati hapësirë të madhe. Edhe në Kosovë ishte disa herë i goditur nga lëndimet.

Ka luajtur edhe në disa skuadra zvicerane, si Lugano, Ticino e Kriens.