Futboll

Suedia me sulm të frikshëm në “Fadil Vokrri”

Isak & Gyokeres

Dy prej sulmuesve më të mirë në futbollin evropian, Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak, pritet ta udhëheqin Suedinë në ndeshjen ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”.

Selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, të mërkurën e shpalli listën për dy ndeshjet e para kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Suedia luan në Lubjanë ndaj Sllovenisë më 5 shtator, ndërsa përballet me Kosovën në Prishtinë më 8 shtator. 

Në listën e Tomassonit janë sulmuesi i ri i Arsenalit, Gyokeres dhe Isaku, që pritet të largohet nga Newcastle Unitedi për një skuadër edhe më të madhe angleze. Në listën e Suedisë ka edhe plot yje të tjerë, por Gyokeres dhe Isak janë kryesorët.

“Nëse duam të kualifikohemi në Kupën e Botës duhet që ekipi të ketë karakter dhe kualitet. Duhet të bashkojë popullin suedez. Futbolli mund të bashkojë dhe të ketë ndikim të madh në shoqëri po ashtu. Është gjë e madhe dhe mezi e presim këtë mundësi që e kemi”, ka thënë Jon Dahl Tomasson të mërkurën në konferencë për shtyp.

Ai pranon se grupi është i hapur. Në grup është edhe Zvicra.

“Mbesim me këmbë në tokë, por nuk harrojmë se prej nga vijmë. Po bëjmë hapa në drejtimin e duhur. Të gjitha ekipet në grup mund ta mposhtin njëra-tjetrën dhe ne fillojmë me dy ndeshje të vështira në udhëtim. Do të jenë ndeshje shumë interesante”, ka shtuar danezi.

Te Suedia është kthyer Lucas Bergvall, që mungoi gjatë për shkak të lëndimeve. Suedezët i gëzohen faktit që Gyokeres nisi karrierën tek Arsenali me gol të shënuar.

“Isha i lumtur të shoh Viktorin duke shënuar golin e parë në Premier League në ndeshjen e parë në shtëpi në ligë. Kam festuar për Viktorin. Ai luajti 90 minuta dhe kjo është e rëndësishme edhe për ne po ashtu”, ka thënë Tomasson.

Për dallim nga Gyokeresi, Isaku nuk po luan për Newcastlen, duke shtyrë para kështu një transferim. Ai ka javë që insiston të largohet nga Newcastle. Ndonëse nuk po luan, Isaku mbetet shumë i rëndësishëm për Suedinë.

“Jam shumë i lumtur që Alexander Isak dëshiron të jetë në skuadër, është lojtar i madh. Situata e tij nuk është e përkryer dhe ai nuk ka ushtruar me ekipin. Por ai është lojtar që mund të vendosë ndeshjet dhe dëshiron të jetë në skuadër. Kupa e Botës është e rëndësishme për Alexander Isakun”, ka thënë selektori suedez.

Carl Starfelt, Emil Holm dhe Dejan Kulusevski i mungojnë Suedisë për shkak të lëndimeve. Mungon edhe mbrojtësi i qendrës, Victor Lindelof, kapiten i përfaqësueses.

“Victori është lojtar i rëndësishëm për ne, por aktualisht ai nuk ka ekip dhe nuk ka ushtruar me kolektiv. Më vjen keq për gjithë këta që mungojnë, por nuk mund ta ndryshojmë situatën dhe të tjetër duhet të shfaqen”, ka thënë Tomasson.

Te Suedia mungon edhe Besfort Zeneli, që kishte refuzuar mundësinë e paraqitjes për Kosovën për përfaqësuesen e vendit ku është rritur. Zeneli ishte te Kosova U21, por zgjodhi Suedinë për nivelin senior. Mesfushori 22-vjeçar i ka tri paraqitje për Suedinë. Është ftuar për miqësoret në mars e qershor, por nuk është ftuar për ndeshjet kualifikuese. Ai luan për Elfsborgun në Suedi.

Shumë prej lojtarëve të Suedisë janë pjesë e klubeve të njohura evropiane. Daniel Svensson është te Dortmundi, Emil Krafth te Newcastle, Lucas Bergvall te Tottenhami, Anthony Elanga te Newcastle.