Futboll

Supersfida në “Anfield” i takon Cityt

City

Manchester City ishte në disavantazh prej një goli prej minutës së 74-t të dielën.

Por, skuadra e udhëhequr nga Pep Guardiola u kthye me dy gola të shpejtë në minutën e 84-t dhe të 93-të, për fitoren 2:1 në udhëtim te Liverpooli.

Fitorja në “Anfieldin” e zjarrtë, në kuadër të xhiros së 25-të të Premier Leagues, e mban Cityn ende në garë të fortë me Arsenalin për titull kampioni.

City pranoi gol në minutën e 74-t nga Dominik Szoboszlai. Gjuajtja e mesfushorit hungarez ishte e pandalshme për portierin shtatlartë të Cityt, italianin Gianluigi Donnarumma. Për të ishte goli i katërt i shënuar nga goditja e dënimit në të gjitha garat.

City më pas realizoi me Bernardo Silvan për 1:1, gjashtë minuta para fundit. Erling Haaland asistoi për portugezin që nuk gaboi nga afërsia. Më pas, norvegjezi Haaland shënoi në minutën e tretë të kohës shtesë nga penalltia, për fitoren shumë të rëndësishme.

Për Haalandin ishte goli i parë në Premier League që prej 7 janarit, kur kishte realizuar në barazimin 1:1 me Brightonin dhe i pari në “Anfield”.

Ai është golashënuesi më i mirë i elitës angleze me 21 gola. I ka edhe gjashtë asistime.

Cityt për ndërhyrje të palejuar iu anulua goli i Rayan Cherkit në minutën e 10-të të kohës shtesë. Ai gjuajti nga gjysma e fushës në portën e zbrazët. Në vrapim, Szoboszlai e kapi për fanelle Haalandin, ndërsa më pas u rrëzua edhe vetë. Gjyqtari e anuloi golin, vendosi për ndërhyrje të palejuar, ndërsa me të kuq e ndëshkoi mesfushorin hungarez. Të gjitha këto u panë në fundin e ndeshjes së zjarrtë e të tensionuar.

City me fitore ka 50 pikë në vendin e dytë, gjashtë më pak se Arsenali lider.

Liverpooli me 39 pikë është i gjashti.