Kalimi nga Superliga e Zvicrës në Bundesligë, përkatësisht te Hoffenheimi, doli hap shumë i qëlluar për mesfushorin Leon Avdullahu dhe mbrojtësin Albian Hajdari.
Avdullahu e Hajdari janë prej lojtarëve të rëndësishëm të Hoffenheimit që thuajse ka siguruar paraqitje në Evropë në edicionin e ardhshëm, ndërkohë që e synon kualifikimin në Champions.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTe Hoffenheimi janë shumë të kënaqur me dy reprezentuesit e Kosovës. Për Avdullahun e Hajdarin ka folur drejtori teknik i klubit gjerman, Paul Pajduch, në një intervistë për “Blick”.
“Ata kanë luajtur rol të madh në edicionin tonë befasisht shumë të suksesshëm”, ka thënë Pajduch për dy kosovarët. Te Hoffenheimi lojtar i rëndësishëm është edhe sulmuesi Fisnik Asllani.
Derisa Asllani pritet të largohet në verë, Avdullahu e Hajdari pritet të qëndrojnë më gjatë. Mesfushori Avdullahu u transferua te Hoffenheimi nga Baseli në fillim të verës së kaluar. Ndërkohë Hajdari u transferua nga Lugano në fund të afatit kalimtar, po ashtu verën e kaluar.
“Superliga e Zvicrës është treg interesant për ne. Afërsia gjeografike, ngjashmëria kulturore dhe mbi të gjitha pasi ne rekrutojmë sidomos lojtarë të rinj nga ligat zhvillimore. I zhvillojmë ata tutje dhe i bëjmë gati për hapin tjetër”, ka thënë njëri prej drejtuesve të rëndësishëm të Hoffenheimit.
Me Hajdarin e Avdullahun, strategjia e klubit gjerman ka funksionuar. 22-vjeçari Hajdari ishte transferuar vetëm pas lëndimit të Koki Machidas dhe pasi Hoffenheimit i duhej një mbrojtës. Hajdari po përcillej për një kohë nga Hoffenheimi, që vendosi për transferim.
Vlera në treg e dy kosovarëve është rritur ndjeshëm. 22-vjeçari Avdullahu vlerësohet 25 milionë euro, ndërsa Hajdari vlerësohet 20 milionë euro.
“Janë djem të shkëlqyer. Dhe shpresoj se do të bëjnë hapa të tjerë me ne. Ndeshjet evropiane natyrisht se do t’i bëjnë edhe më të mirë”, ka theksuar Paul Pajduch.
Hoffenheimi është i pesti në Bundesligë me 54 pikë, dy më pak se Stuttgarti i vendit të katërt. Vendi i katërt dërgon në Champions, kurse i pesti në Ligën e Evropës. Deri në fund të edicionit në elitën gjermane janë edhe katër xhiro.