Futboll

Te Kosova U21 shpresojnë ta befasojnë Spanjën

kos

Pas pikës së madhe të fituar të premten në udhëtim kundër Rumanisë, Kosova U21 synon tjetër rezultat pozitiv kundër Spanjës. Synohet fitorja madje. Por te Shpresat e Kosovës pranojnë se Spanja është favorite e madhe në ndeshjen që luhet të martën nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Përzgjedhësi i 21-vjeçarëve, Afrim Tovërlani, ka thënë se ndaj Spanjës nuk do të hyjnë me flamur të bardhë.

Ndeshja ndërmjet Kosovës U21 dhe Spanjës luhet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian, që në vitin 2027 mbahet në Shqipëri e Serbi. I takon Grupit A.

“Ndeshje shumë e vështirë, e di i gjithë opinioni. Favoritja e grupit, Spanja, e cila është gjithnjë pjesëmarrëse në evropiane dhe botërore, mirëpo ne nuk jemi për t’u dorëzuar. Do të japim maksimumin, kemi parë ndeshjen ndaj Qipros dhe do të mundohemi ta befasojmë Spanjën”, ka thënë Tovërlani.

Tovërlani nuk ka zbuluar nëse ndaj Spanjës do të paraqiten me formacion sulmues. Por ka paralajmëruar se do të ketë ndryshime.

“Do të ketë ndryshime në formacion, por ka edhe pak kohë dhe do të shohim”, është shprehur Tovërlani.

Edhe futbollistët Eliot Bujupi dhe Laurent Sheji janë shprehur optimistë para përballjes me superfuqinë e futbollit, Spanjën.

“Kemi luajtur ndeshje të mirë kundër Rumanisë dhe kemi analizuar ekipin e Spanjës shumë mirë. E dimë të gjithë që Spanja ka ekip të mirë, por do të luftojmë deri në fund”, ka thënë Bujupi.

Portieri Sheji vlerësoi paraqitjen ndaj Rumanisë. Por pret paraqitje edhe më të mirë ndaj Spanjës.

“Kemi luajtur mirë kundër Rumanisë. Spanja është kundërshtare më e fortë, por shpresoj të luajmë pak më mirë se kundër Rumanisë”, ka thënë Sheji.

Spanja dhe Italia e kanë fituar nga pesë herë Evropianin e 21-vjeçarëve. Së fundi, Spanja u shpall kampione në vitin 2019.

Në ndeshjen e parë të kualifikimeve për “Euro 2027”, Spanja fitoi 3:0 në shtëpi ndaj Qipros. Rumania e Kosova luajtën pa gola.