Paris Saint-Germaini do të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve duke tejkaluar humbjen 3:2 nga Barcelona në ndeshjen e parë çerekfinale. Për këtë është shprehur i bindur të hënën trajneri i Parisit, Luis Enrique.
Ndeshjen e parë të luajtur në Paris, Barça e fitoi 3:2 falë dy golave të Raphinhas dhe një të Andreas Christensenit. Ndeshja e kthimit zhvillohet të martën prej orës 21:00 në Barcelonë.
Spanjolli Enrique, që udhëhoqi Barcelonën drejt tre trofeve në vitin 2015, është i bindur se PSG-ja mund të përmbysë rezultatin e ndeshjes së parë. Sipas Enriques, humbja nuk ishte rezultat i drejtë. Ai beson fuqishëm se Parisi do ta vazhdojë rrugën drejt suksesit të parë në Champions.
“Jemi plotësisht të bindur se do të përmbysim rezultatin”, ka thënë Luis Enrique në konferencë për shtyp, të hënën.
“Ndeshja e parë ishte shumë luftarake nga të dy skuadrat, por rezultati nuk reflekton atë që merituam. Rezultati 3:2 nënkupton që duhet të hidhemi në sulm”.
PSG-ja nisi ndeshjen e parë pas serisë prej 27 takimeve pa disfatë në të gjitha garat. Por u mposht nga Barcelona që po kërkon kthimin në majën e futbollit evropian. Barça dy vjet rresht u ndal në fazën grupore të Championsit.
PSG-ja kishte fundjavë të lirë për të pushuar për ndeshjen e kthimit. Sipas Enriques, kjo është përparësi dhe do t’i mundësojë kampionit francez t’i përmbahet planit agresiv të lojës.
“Do të bëjmë presion nga minuta e parë dhe rivali do ta luajë lojën e tij. Kur të kemi topin në pronësi do të mundohemi të krijojmë sa më shumë raste që është e mundur”, ka shtuar Enrique.
Ai ka theksuar se ditët pas humbjes ishin të vështira për parisienët. Por Enrique ka shtuar se e mira është që skuadra ka rastin e dytë dhe ka idenë se si duhet të veprojë.
“Jemi në moment shumë të mirë dhe jemi të gatshëm”, ka shtuar trajneri i Parisit.
Ousmane Dembele dhe Vitinha kishin shënuar golat e Parisit në ndeshjen interesante në “Parkun e Princave”.
Mbrojtësi Achraf Hakimi kthehet te Parisi pasi mungoi në ndeshjen e parë shkaku i suspendimit. Hakimi ka thënë se synojnë të kthehen me fitore dhe biletë të gjysmëfinales në Paris.
“Kemi ardhur me shumë dëshirë për të ndryshuar atë që ndodhi në ndeshjen e parë. Kemi ardhur për fitore. Kemi folur me njëri-tjetrin, kemi motivuar njëri-tjetrin. Duam të qëndrojmë të bashkuar dhe të fitojmë”, ka thënë Hakimi.
Te Barcelona pranojnë që i pret ndeshje e vështirë. Por janë të gatshëm për betejë.
“Do të jetë luftë e madhe futbolli”, ka thënë trajneri i Barçës, Xavi, në konferencën për shtyp.
“Nuk jemi ekip që kalkulojmë. Do ta provojmë të marrim topin nga PSG-ja dhe ta fitojmë ndeshjen. Shpresojmë të jemi në formën më të mirë”, ka shtuar Xavi.
Fitorja në Paris ishte e para e Barcelonës në fazën nokaut të Championsit pas katër vjetësh. Katalonjasit janë të mbushur me besim, pas gjashtë fitoreve rresht. Janë të pamposhtur që nga disfata 5:3 nga Villarreali në La Liga, në janar. Pas asaj disfate Xavi theksoi se do të largohej në fund të edicionit. Barça tani është pa humbje në 13 ndeshje dhe sfida me Parisin duket se ka ardhur në kohën më të mirë të mundshme.
“Jam i lumtur se ku jemi, jam krenar se ku jemi. Mendoj se është moment i mirë dhe jam i entuziazmuar”, ka thënë Xavi.
Ai ka thënë se duhet të kontrollojnë emocionet, temperamentin. Ka thënë se lojtarët janë të gatshëm të kenë kontrollin në fushë dhe të shfaqin personalitetin e ekipit. Sipas Xavit, Barçës i duhet përkrahja e tifozëve.
“PSG-ja do të kujdeset që ne të vuajmë, nuk ka dyshime për këtë. Por duhet të jemi ekip që të mposhtim PSG-në. Të gjithë ne, së bashku”, thotë Xavi.
Edhe çerekfinalja tjetër e së martës mbrëma pritet të jetë e zjarrtë. Në “Westfalenstadion” takohen Borussia Dortmundi e Atletico Madridi. Ndeshja e parë në Madrid ishte e tensionuar dhe u fitua nga Atletico me rezultatin 2:1. Por skuadra gjermane qëlloi shtyllën në minutat shtesë. Gjermanët kërkojnë përmbysjen, ndërsa Atletico Madridi pritet të vendoset në mbrojtje në kërkim të kualifikimit në gjysmëfinale.
Dy ndeshjet e tjera kthyese të fazës çerekfinale të Championsit janë të mërkurën mbrëma.