Futboll

Te Zvicra konfirmojnë se mbrojtësi i Shqipërisë është në planet e tyre

Adrian Bajrami

Adrian Bajrami është dashur të jetë duke ushtruar së bashku me lojtarët e tjerë të Shqipërisë në kampin përgatitor në Malaga. 23-vjeçari ishte në listën e selektorit Sylvinho për miqësoren me Gjibraltarin dhe ndeshjen kualifikuese me Letoninë. 

Bajrami tashmë ka debutuar me kuqezinjtë dhe i ka luajtur tri ndeshje. Por, papritur vendosi ta refuzojë ftesën e Sylvinhos. Ai ka vendosur që në të ardhmen të luajë për përfaqësuesen e Zvicrës, vend ku është i lindur dhe nisi karrierën si lojtar.

Federata Shqiptare e Futbollit e bëri këtë të ditur të hënën. Të martën edhe nga Federata e Futbollit e Zvicrës kanë folur për mbrojtësin.

Pasi ka luajtur vetëm miqësore për Shqipërinë, Bajrami e ka të drejtën e ndërrimit të përfaqësueses. Dhe këtë e ka bërë.

Ai ishte fillimisht pjesë e U18 të Zvicrës. Më pas luajti për Shqipërinë U19 dhe Shqipërinë U21. 
Që në vitin 2022 i luajti tri ndeshje për Shqipërinë A. Më 13 qershor kishte luajtur ndaj Estonisë. Më 16 nëntor ishte paraqitur ndaj Italisë e më 19 nëntor 2022 edhe ndaj Armenisë. Prej atëherë është grumbulluar edhe tri herë me Shqipërinë A, së fundi në qershor. Por nuk u aktivizua më.

Dhe së shpejti Bajrami pritet të luajë për Zvicrën. Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami.

“Ne ishim në kontakt me Adrianin dhe jemi të lumtur për vendimin e tij që të luajë për Zvicrën”, ka thënë Tami për “20 Minuten”.

Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, tashmë ka marrë shënime për potencialin e Bajramit. Ai po luan për Luzernin, si i huazuar nga Benfica. Te Benfica kryesisht ka luajtur në ekipin e dytë, ndërsa me ekipin e parë u paraqit në Botërorin e klubeve në SHBA. Me klubin e madh portugez, Bajrami ka kontratë deri në vitin 2029. Huazimi te Luzerni është i vlefshëm deri në qershor 2026.

“Ai është një lojtar interesant, zhvillimin e të cilit po e përcjellim nga afër”, ka shtuar Pierluigi Tami.
Bajrami nisi karrierën te skuadra zvicerane, Langenthal. Më pas vazhdoi zhvillimin te Young Boysi. Që në verën e vitit 2018 kaloi në Portugali te Benfica, ku është zhvilluar deri këtë verë.

Ai është stabilizuar menjëherë te Luzerni dhe ka kompletuar katër prej pesë ndeshjeve të deritashme kampionale. Së shpejti Bajrami pritet të paraqitet me Zvicrën.