Një fitore kundër Suedisë të shtunën në Gjenevë do t’ia garantonte Zvicrës kualifikimin në Kupën e Botës 2026, edhe nëse Kosova do të fitonte në Slloveni në të njëjtën kohë. Me një skenar të tillë, vetëm një humbje me të paktën katër gola dallim në Prishtinë nga Kosova do të mund të parandalonte kualifikimin direkt të Zvicrës në Botërorin e vitit të ardhshëm. Zvicra po e kërkon kualifikimin e shtatë rresht në një turne të madh.
Te Zvicra nuk i frikësohen “finales” eventuale kundër Kosovës në Prishtinë, të martën e javës së ardhshme.
Zvicra është lidere e Grupit B me dhjetë pikë, kurse Kosova i ka shtatë pikë në vendin e dytë. Pason Sllovenia me tri pikë, kurse Suedia e ka vetëm një pikë.
Drejtori i Përfaqësueses së Zvicrës, Pierluigi Tami, është optimist për kualifikim direkt në Kupën e Botës që mbahet në SHBA, Kanada e Meksikë.
“Ndeshjet e ardhshme do të jenë shumë vendimtare. Jam shumë optimist për to. Është e rëndësishme që ne të mund ta tregojmë veten në këtë skenë. Së pari, për ta bërë futbollin më tërheqës dhe, sigurisht, është gjithashtu e rëndësishme financiarisht. Pjesëmarrje të tilla gjenerojnë të ardhura shtesë, të cilat janë thelbësore për funksionimin e të gjithë federatës”, ka thënë Tami në konferencë për media.
I pyetur nëse kualifikimi direkt mund të vendoset në Prishtinë, Tami ka shtuar se për Zvicrën ndeshjet kundër Suedisë dhe Kosovës kanë peshën e vet.
“Nuk mendoj se duhet ta mendojmë të sigurt kualifikimin deri të shtunën. Të dyja ndeshjet janë vendimtare”.
Zvicra e fitoi ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës kundër Kosovës. Në Basel fitoi thellë, 4:0. Zvicra është përfaqësuesja e vetme e grupit që nuk kanë pësuar humbje. Madje nuk ka as gol të pësuar, ndërsa ka shënuar nëntë.