Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Thirrje skandaloze të tifozëve spanjollë, fyejnë myslimanët

Thirrje skandaloze të tifozëve spanjollë, fyejnë myslimanët

Miqësorja mes Spanjës dhe Egjiptit, e luajtur të martën në Barcelonë, përfundoi pa gola. Për më tepër mbeti në hije të thirrjeve skandaloze të tifozëve vendas.

Janë ofenduar lojtarët mysafirë dhe për këtë organizatorët është dashur disa herë t’ua tërheqin vërejtjen tifozërisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Gjatë ndeshjes një pjesë e tifozëve spanjollë kanë brohoritur “Kush nuk kërcen është mysliman”, ndërsa me fishkëllima është përcjellë himni i Egjiptit para ndeshjes.

VIDEO:

Ka pasur skena të papranueshme edhe kur përfundoi pjesa e parë, përkatësisht kur lojtarët egjiptianë kanë bërë lutjet islame.

Federata e Futbollit e Spanjës ka reaguar gjatë ndeshjes, duke shfaqur në semaforin e stadiumit thirrjet që tifozët të ndalin shprehjet raciste. Federata më pas në rrjetet sociale ka dënuar sjelljet e tifozëve, duke shkruar se “është kundër racizmit në futboll dhe dënon çdo akt të dhunës në stadiume”.

Edhe më i ashpër në reagim ishte përzgjedhësi spanjoll, Luis de la Fuente, që ka kërkuar që “njerëz të tillë të largohen nga shoqëria”.

“Më kanë neveritur dhe dënoj çdo akt ksenofobie dhe racizmi. Kjo është e papranueshme”, ka thënë De la Fuente në konferencë për shtyp.

“Nuk e di protokollin e saktë, por konsideroj që ishte e drejtë të shfaqej porosia në semafor dhe të publikohet sqarimi. Ata që bënë thirrje të tilla janë të turpshëm dhe shumica e njerëzve në stadium u kanë fishkëllyer. Nuk ka çka të shtohet këtu. Ata nuk e përfaqësojnë futbollin. Ata e keqpërdorin futbollin, gjë që e bëjnë edhe në sferat tjera të jetës. Njerëzit e tillë duhet t’i largojmë nga shoqëria – sa më larg aq më mirë”, ka theksuar selektori spanjoll.

Të dy përfaqësueset po përgatiten për Botërorin që më 11 qershor fillon në SHBA, Meksikë e Kanada.

Thirrja për të ndalur fyerjet është bërë edhe nga folësi zyrtar në stadium, gjatë ndeshjes. Një prej lojtarëve më të njohur të Spanjës, superylli Lamine Yamal, është mysliman. Babai i tij është nga Maroku.

“Ne si lojtarë kemi mbetur të shokuar po ashtu”, ka thënë Pedri pas ndeshjes. “Nuk pajtohemi me asnjë lloj të thirrjeve raciste. Nuk e kemi pritur këtë. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku që të ndalojmë që kjo të ndodh në stadiume”, ka thënë njëri prej lojtarëve kryesorë të Spanjës.

Fyerjet i ka dënuar edhe portieri Joan Garcia. Ai ka thënë se ekipi është plotësisht kundër mesazheve diskriminuese.

Presidenti i Federatës spanjolle të futbollit, Rafael Louzan ka thënë se dënon thirrjet, ndërsa ka treguar se i ka kërkuar falje presidentit të federatës egjiptiane, që ishte në stadium.

Incidenti vetëm ka kthyer në vëmendje telashet e Spanjës me racizmin dhe diskiminimin në futboll.

Mediumet spanjolle kanë shkruar për fyerje të tjera të dëgjuara gjatë ndeshjes.