Futboll

Trajneri rus thotë se transferimi i Dakut dështoi “për shkak të lojtarëve serbë”

Mirlind Daku

Mediat në Rusi vazhdojnë të shkruajnë për dështimin e transferimit të Mirlind Dakut nga Rubin Kazani te Zenit St Petersburgu.

Trajneri Rinat Bilyaletdinov, që ka drejtuar klube të ndryshme në elitën ruse, dështimin e transferimit e ka lidhur me lojtarët serbë të Zenitit dhe ndikimin e tyre. Ai ka thënë se mund të ketë ndikuar veprimi i Dakut në Euro 2024, kur fyeu serbët e maqedonasit.

“Ekziston një formacion serb në Zenit – Drkushiq, Erakoviq... Ndoshta është një vendim i arsyeshëm të shtyhet transferimi. Për fat të keq qëndrimi kundërthënës nuk mund të mohohet. Në një pikë mund të luajë rol negativ në ekip. Kjo është arsyeja pse transferimi dështoi. Tjetër gjë është pse nisën një transferim të tillë, duke ditur se do të ishte një bombë e kurdisur për ekipin”, ka thënë Bilyaletdinov për “gazeta.ru”.

Vanja Drkushiq, që e ka përmendur trajneri rus, luan për Slloveninë. Strahinja Erakoviq luan për Serbinë.

Mediumi tjetër rus, “bomardir.ru”, ka shkruar se “arsye për dështimin e transferimit të Dakut ëhstë tatuazhi në shpinën e sulmuesit”. Daku ka një tatuazh në nderim të komandatit të UÇK-së, Agim Ramadani – Katana.

“Është raportuar se për shkak të kësaj, menaxhmenti i Zenitit kishte dyshime për transferimin për kohë të gjatë dhe ka refuzojë të kompletojë transferimin, ndonëse palët ishin marrë vesh për detajet”, ka shkruar ky medium, pa cituar ndonjë burim zyrtar.