Futboll

Sejdiu: Kombëtarja u rikuperua shpejt nga humbja me Zvicrën

Gani Sejdiu

“Në një kohë shumë të shkurtër Kosova u kthye me rezultat fantastik”, kështu e përgëzoi kombëtaren e Kosovës pas fitores ndaj Suedisë me rezultat 2:0, trajneri kosovar, Gani Sejdiu. 

Ai e quajti edhe reflektim ndaj asaj që ndodhi me Zvicrën, derisa paraqitjen e sontme e quajti spektakolare.

“Ajo çka vlen të theksohet nga ky takim është se ndoshta i gjithë opinion nuk ka pritur që pas asaj humbje ekipi ynë kombëtar del më një qasje që është shumë ofansive, shumë e hapur në mënyrë që sa më mirë rikuperohet dhe se vetëm fitorja kishte me vënë në binarë kombëtaren tonë pas asaj humbje, por Foda duke e pasë parasysh, për këtë e përgëzoj sepse me shumë kurozitet e kam pritë se çfarë formacioni, çfarë sistemi dhe çfarë forme do ta përgatisë takimin dhe vërtetë jam i befasuar në mënyrën më të mirë të mundshme", ka thënë ai.

Ai e ka përgëzuar trajnerin Franco Foda për përzgjedhjen e formacionit të lojtarëve në ndeshjen ndaj Suedisë.

"Po e them edhe një herë, brenda tri ditëve të rikuperohet nga ajo gjendje dhe nga ato mungesa unë mendoj që vërtetë ka bërë një përzgjedhje të lojtarëve, të sistemit të lojës. Është ndoshta e para herë që kam parë një përzgjedhje të tillë, tre-pesë-dy fillimisht dhe fazën e mbrojtjes kur transformohet ekipi në pesë-tre-dy me një skuadër shumë kompakte me aq disiplinë të madhe taktike, me një distancë mes reparteve minimale që vërtetë i plotëson ato kërkesat e futbollit modern ku kundërshtarit nuk i lejohet as hapësira as koha me një prezencë shumë të madhe brenda zonës sonë dhe mendoj se kjo formë e lojës është edhe si reflektim i atyre gabimeve që janë bërë me Zvicrën ku realisht vija e fundit ka qenë e ç’ekuilibruar dhe aspak e koordinuar. Kjo përzgjedhje doli të jetë shumë e suksesshme”, deklaroi Sejdiu.

Meritat për fitoren sonte, Sejdiu ia atribuoi Franco Fodas. Përmes një inkuadrimi në emisionin “Interaktiv” në KTV, ai theksoi se lojtarët kanë qenë shumë mirë të koordinuar sidomos në aspektin taktik dhe se sipas tij Suedia hyri në fushë me idenë që të mposhtë Kosovën, por gaboi.

Sejdiu gjithashtu u shpreh kundër veçanërisht gjuhës që u përdor në kritikat e shumta ndaj kombëtares së Kosovës pas humbjes me Zvicrën. Të premten mbrëma në Basel, Kosova pësoi 4:0 nga Zvicra.