Futboll

Tudor dëshiron që e ardhmja e tij të vendoset së shpejti

Igor Tudor

Juventusi të dielën me fitoren 3:2 ndaj Venezias në kuadër të xhiros së fundit në Serie A, e siguroi kualifikimin në Ligën e Kampionëve për edicionin e ardhshëm. Por trajneri i Juves, Igor Tudor, ende nuk është i sigurt nëse do të qëndrojë te “zonja e vjetër”.

Kroati dëshiron që e ardhmja e tij të vendoset para fillimit të Kupës së Botës për klube. Tudor u emërua trajner i Juves në muajin mars pas shkarkimit të Thiago Mottas.

Ai me gjigantin italian nënshkroi kontratë deri në përfundimin e edicionit 2024/25. “Tani është Kupa e Botës, por gjithçka do të zgjidhet para saj. Nuk mendoj se do të ishte ide e mirë të drejtoja Juven në Kupën e Botës për klube pa një vendim. Do të bëhet një zgjedhje për të ardhmen para Kupës së Botës. Mendoj se është gjëja e duhur”, ka thënë 47-vjeçari Tudor në një intervistë për “Sky Sports”.

Kroati Tudor deri më tani e ka drejtuar Juventusin në nëntë ndeshje. Ka pesë fitore, tri barazime dhe një humbje. Juventusi kampionatin e përfundoi në pozitën e katërt me 70 pikë.