Sulmuesi Myrto Uzuni nuk ishte pjesë e listës bazë të Shqipërisë për dy ndeshjet e para të edicionit të ri të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Uzuni u ftua nga selektori Sylvinho vetëm pasi u konfirmuar se Armando Broja nuk është i gatshëm për ndeshjet kundër Ukrainës dhe Gjeorgjisë.
Uzuni mbeti edhe jashtë ekipit që u paraqit në Evropianin “Gjermania 2024”. Por të martën është paraqitur në stërvitje për ndeshjet e rëndësishme.
Në stërvitje të martën janë paraqitur edhe Jasir Asani dhe Mario Mitaj.
“Këtë pasdite trajneri Sylvinho ka pasur në dispozicion edhe Myrto Uzunin, Mario Mitajn, Jasir Asanin dhe Adrian Bajramin, ndërsa Enea Mihaj mbërriti pasditen e sotme në Tiranë dhe u la pushim nga stafi teknik”, shkruan në njoftimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në FSHF kanë njoftuar se stërvitja e së martës ka qenë e përqendruar më shumë në anën taktike.
“Stërvitja nisi me punën në palestër e më pas trajneri së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje. Edhe në këtë seancë stërvitore me skuadrën u bashkuan disa lojtarë nga Kombëtarja U-21, Feta Fetai, Marcelino Preka, Adrion Pajaziti dhe Stiven Shpendi”.
Shqipëria të mërkurën e zhvillon stërvitjen e fundit në Tiranë, ndërsa të enjten udhëton drejt Pragës, ku të shtunën nga ora 20:45 luhet ndeshja me Ukrainën.