Mbrojtësi Albert Vallçi i është bashkuar kampionit në fuqi të Austrisë, Sturm Grazit.
Njoftimi është bërë të premten mbrëma nga klubi austriak.
Vallçi te Sturm Grazi është transferuar si lojtar i lirë, pasi e ndërpreu kontratën me klubin zviceran, St. Gallen.
30-vjeçari pjesë e St. Gallenit ishte nga vera e vitit 2022, kur ishte transferuar nga Salzburgu për 1.1 milionë euro. Me St. Gallenin, mbrojtësi i qendrës zhvilloi 114 ndeshje duke kontribuar me dhjetë gola dhe tri asistime.
“Me Albert Vallçin kemi siguruar mbrojtësin qendror me përvojë që po kërkonim. Alberti ka luajtur në një nivel shumë të lartë në Salzburg dhe në Zvicër. Jemi të bindur se mund të na ndihmojë dhe jemi të kënaqur ta mirëpresim në Graz”, u shpreh drejtori sportiv i Sturm Grazit, Michael Parensen.
Edhe Vallçi u shpreh i lumtur për kthim në Austri.
“Është natyrisht një mundësi fantastike për mua të luaj për klubin më të madh, kampionin në fuqi të Austrisë. Sigurisht, e kam ndjekur nga afër Bundesligën në vitet e fundit dhe jam i kënaqur që jam kthyer”.
Vallçi ka përvojë të madhe në futbollin austriak. Ka luajtur për disa skuadra të këtij vendi.