Futboll

Vëllezërit nga Dagestani që po shkëlqejnë në MMA dhe te Manchester Unitedi

Ibragim Ibragimov

Ibragim Ibragimov

Ibragim Ibragimov buzëqesh ndërsa reflekton për mënyrën se si ka ndryshuar jeta e familjes së tij prej se lëvizi në Angli nga Dagestani, tetë vjet më parë.

“Më pëlqen shumë këtu”, thotë ylli i serisë së arteve marciale të përziera, PFL.

“Unë dhe babai im gjithnjë themi se ky është vendi ku duhej të isha i lindur”, ka shtuar Ibragimov, që po arrin suksese në “Professional Fighters League”.

21-vjeçari u largua nga shtëpia në rajonin e Kaukazit Veriot në Rusi, në vitin 2017. Babai i tij besonte se një zhvendosje në Evropë do të ofronte mundësi më të mira në karrierë për të, vëllezërit dhe motrat e tij.

Plani ishte që Ibragimi dhe tre vëllezërit e tij – Amiri 17-vjeçar, Gaziku 16-vjeçar dhe Muhammadi 15-vjeçar, të përfundonin shkollën para se të regjistroheshin në universitet.

Por jeta duket ndryshe për familjen Ibragimov tani.

Ibragimi është luftëtar profesional në Artet Marciale të Përziera (MMA) dhe konsiderohet talent i madh. PFL është prej serive kryesore në MMA.

Vëllezërit e tij ndoqën rrugë tjetër në sport. Të gjithë janë transferuar nga klubi i futbollit, Manchester United, kurse Amiri po bën përpjekje për të fituar vend në ekipin e parë.

“Gjëja kryesore për ne është që të marrim maksimumin nga sportet tona”, thotë Ibragim.

“Dua që ata të luajnë për ekipet më të mira në botë. Sot është Manchester United, nesër mund të jetë një ekip tjetër”.

Dagestani i Rusisë ka status mitik në mesin e tifozëve të luftimeve, pasi ka nxjerrë një mori kampionësh të UFC-së, që është seria kryesore e MMA.

Rajoni ka traditë të pasur në mundje, veçanërisht të formës sambo, dhe ka nxjerrë shumë kampionë olimpikë e botërorë në mundje.

Në Dagestan fëmijët inkurajohen të nisin me mundje porsa të nisin të ecin.

“Kur isha fëmijë, babai im na thoshte gjithmonë mua dhe vëllezërve se duhej të ishim të fortë, së pari për ta mbrojtur veten, e pastaj familjen dhe shokët”, tregon Ibragim.

“Të gjithë u mësuam të luftonim dhe kjo është arsyeja pse të gjithë dinë të luftojnë në Dagestan. Nuk është befasi. Amiri ishte një mundës shumë i mirë. Mund ta shihni kalimin nga mundja në futboll. Qartë se i ndihmoi shumë vëllezërit e mi. Disa prej futbollistëve me të cilët përballet, nuk e kanë të njëjtën bazë që e ka Amiri. Kjo është arsyeja pse ai është i shëndoshë, i fortë dhe me të vërtetë garues. Është për shkak të mundjes”.

Amiri ishte vetëm nëntëvjeçar kur u testua te Sheffield United. Duke mos e ditur moshën e tij, trajnerët e rreshtuan me djem pesë vjet më të mëdhenj. Ai nuk u shqetësua dhe u mbajt për shkak të përvojës në mundje.

Amiri u regjistrua së bashku me vëllezërit më të vegjël, Gazikun dhe Muhammadin. Qëndrimi atje ishte i shkurtër. Manchester Unitedi u njoftua për talentin e Amirit dhe ai bëri lëvizje.

“Kishin një ndeshje kundër Manchester Unitedit në një turne dhe Amiri shënoi gol të shkëlqyer nga goditja e dënimit. Një nga skautët e përzgjodhi menjëherë”, tregon Ibragimi.

Gjashtë vjet pasi iu bashkua klubit, Amiri u bë një nga lojtarët më të rinj në histori të Unitedit që stërviti me ekipin e parë. E bëri këtë në prill 2023, si 15-vjeçar.

Ibragimi vlerëson se Amiri e meriton 100 për qind të luajë për ekipin e parë të Manchester Unitedit. Thekson se të rinjtë nuk do të mund të luanin më keq se lojtarët e ekipit të parë, ndërkohë që janë shumë më të uritur për sukses.

Gaziku e Muhammadi po ashtu janë transferuar te Manchester Unitedi.

Edhe Ibragimi është zhvendosur në Manchester dhe kalon shumicën e ditëve në “Manchester Top Team”.

Në gusht qëndroi tri javë në Dagestan, në palestrën e Khabib Nurmagomedovit të famshëm. E ndihmoi Islam Makhachevin të përgatitej për luftën e nëntorit për titullin e botës kundër Jack Della Maddalena.

Nurmagomedovin e pëlqejnë të gjithë luftëtarët e MMA-së në botë.

Ibragimi shpreson të ndjekë rrugën e tij – të bëhet kampion bote. Ndërkohë tre vëllezërit e tjerë kanë ëndrra që të luajnë për Manchester Unitedin. Dhe duket që të gjithë janë në rrugë të mirë.