Futboll

Xhaka i zbulon detajet pse vendosi të largohet nga Leverkuseni te Sunderlandi

Granit Xhaka

Luftë për mbijetesë, në vend të luftës për titull, lojë defensive, në vend të lojës me qarkullim të topit – Transferimi i Granit Xhakës te AFC Sunderlandi erdhi si befasi. Në një intervistë për “Bluewin”, kapiteni i Zvicrës i shpjegon arsyet.

Ai erdhi, pa dhe fitoi: Sezoni i parë i Granit Xhakës te Bayer Leverkuseni ishte përrallor. Në vitin 2023, ai u kthye në Gjermani nga Arsenali dhe menjëherë u bë lider i Leverkusenit. E udhëhoqi skuadrën drejt titullit të parë në histori të klubit. Bayer Leverkuseni po ashtu mbeti i pamposhtur edhe në Kupë të Gjermanisë, shkruan “Bluewin” të premten. Humbi vetëm një herë në finalen e Ligës së Evropës.

Xhaka dhe Leverkuseni ishte dashuri në shikim të parë. Por pas vitit të dytë, romanca u zbeh. Pas largimit të trajnerit të suksesshëm, Xhabi Alonso, dhe disa yjeve si Florian Wirtz, Jonathan Tah dhe Jeremie Frimpong, Xhaka planifikonte largimin po ashtu. Fillimisht deklaroi se nuk donte të ishte në një skuadër me ndryshime të mëdha, dhe më pas pati raportime se kishte probleme me trajnerin e ri, Erik ten Hag.

Spekulimet për transferimin e tij nisën dhe ato u intensifikuan edhe më shumë në verë. Në fillim u përfshi Galatasaray, më pas Milani, më pas nga Arabia Saudite, dhe në fund, Sunderlandi. Në fakt, Xhaka menjëherë nënshkroi kontratë me ekipin e promovuar në Premier League sivjet. Ai nënshkroi kontratë deri në vitin 2028.

Nuk kishte probleme me Erik ten Hag

Në një intervistë dhënë mediumit zviceran “Blick” të premten, 32-vjeçari foli në detaje për motivet e tij – dhe e bëri të qartë se nuk kishte probleme me ten Hagun: “Ai asnjëherë nuk ka qenë problemi, asnjëherë. Kemi pasur marrëdhënie të mirë. Ai e dinte se do ta shqyrtojë ofertën. Dhe ndoshta e ndjeu se do të më humbte. Por bisedat tona ishin të qarta dhe korrekte. Do të luaja si kapiten edhe nën drejtimin e tij”.

Xhaka vazhdon: “Nuk kam thënë asnjëherë se doja të largohesha me çdo kusht – vetëm kur të vinte oferta e mirë për të gjithë. Për mua, familjen time dhe Leverkusenin”.

Dhe kjo ofertë erdhi nga Sunderlandi.

Xhaka që ka 137 paraqitje për Zvicrën, tregon se ekipi i promovuar në Premier League bëri çdo gjë për ta sjellë atë sërish në Angli. “Kur klubi ta jep atë ndjesi, do të ishte gjë jo e mirë të mos e shikosh. U binda nga zyrtarët e klubit dhe nuk mund t’u thosha jo”.

E rëndësishme është të përjetosh momente të vuajtjes

President i klubit të Sunderlandit është Kyril Louis-Dreyfus.

Xhaka tregon për thirrjen në një mbrëmje. “Tung, unë jam Kyril. Jam President i Sunderlandit. Vazhdova duke menduar se dikush po tallet me mua”.

Kur menaxheri i tij, Jose Noguera, i kontaktoi zyrtarët e Sunderlandit menjëherë pas atij momenti, ai e kuptoi se gjithçka ishte serioze.

Në vend të netëve të Ligës së Kampionëve dhe ëndrrës për ta fituar titullin, do të ketë luftë shumë të madhe për mbijetesë dhe shumë punë në fazën defensive për Xhakën, që preferon ta ketë topin në këmbë. Por, ai është duke menduar për hapin e radhës. “Dua që ta ndjek profesionin e trajnerit një ditë. Për këtë është e rëndësishme që të përjetosh momente të vuajtjes dhe solidaritetit. Ne do të vuajmë shumë në muajt e ardhshëm. Kjo është ana tjetër e futbollit, por është pjesë e futbollit dhe do të më plotësojë”.

Megjithatë, kampanja e Premier Leagues pati nisje premtuese për Xhakën me shokë. Sunderlandi e mposhti 3:0 West Hamin në vikendin e kaluar. Ndeshja e parë në udhëtim te Burnley luhet të shtunën.