Sulmuesi anglez, Bukayo Saka, do të jetë jashtë fushës për një muaj për shkak të një lëndimi. Kështu ka raportuar të hënën “BBC”.
Saka po përballet me një lëndim në muskujt e kofshës.
Sulmuesi i krahut u detyrua të largohet nga fusha në minutën e 53-të të shtunën në fitoren 5:0 të Arsenalit ndaj Leeds Unitedit. Në fitoren e thellë të klubit londinez, Saka kontribuoi me një gol.
Saka do t’i mungojë “topçinjëve” të dielën e ardhshme në ndeshjen që e zhvillojnë në udhëtim te kampioni në fuqi i Anglisë, Liverpool.
23-vjeçari pritet t’i mungojë edhe Përfaqësueses së Anglisë në dy ndeshjet e muajit të ardhshëm që janë të vlefshme për kualifikimet e Kupës së Botës që mbahet në vitin 2026 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Anglia më 6 shtator e pret Andorrën dhe tri ditë më pas luan në udhëtim te Serbia.
Në dyshim për t’u paraqitur ndaj Liverpoolit është edhe kapiteni i Arsenalit, Martin Odegaard, i cili po ashtu u lëndua ndaj Leeds Unitedit.
Aktualisht të lënduar tek Arsenali janë edhe Ben White, Kai Havertz dhe Gabriel Jesus.