Me fitoren bindëse zgjedhore, Kurti tani e ka luksin të merret seriozisht edhe me punë të vështira si dhe të marrë vendime jopopullore, të cilat nuk e presin. Mirëpo nuk është çdo gjë rrugë me ferra, ngase me një politikë të mençur Kosova i hap vetes rrugë për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, NATO-ja dhe BE-ja. Kurti e ka shansin të jetë lideri që e udhëheq këtë proces të integrimeve euroatlantike. Kjo është përparësia por edhe mallkimi i tij, ngase për ta arritur këtë integrim do t’i duhet të shkelë mbi çdo parim, për hir të të cilit qytetarët ia dhanë kartën bllanko edhe për një mandat
Me konstituimin e Kuvendit dhe me zgjedhjen e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, vullneti i popullit, i shprehur në zgjedhjet e 28 dhjetorit, u jetësua plotësisht. Me këtë konstelacion politik në Kuvend, ku koalicioni qeverisës i udhëhequr nga LVV-ja kontrollon më shumë se 50 për qind të votave të të gjithë deputetëve, pritet qeverisje pa ndonjë pengesë për një mandat të plotë legjislativ.
Ky ishte vullneti qytetar që me shumicë të plotë ua dha besimin Kurtit dhe LVV-së ta udhëheqin Kosovën edhe një mandat. Kjo, nëse nuk ndodh ndonjë “befasi” me rastin e zgjedhjes së presidentit apo presidentes. E në klimën ekzistuese politike, që është qartazi pro LVV-së, nuk besoj se ndokujt i konvenojnë edhe një palë zgjedhje të jashtëzakonshme gjatë këtij viti. Prandaj, pres që, në varësi të marrëveshjes (ose në mungesë të saj) mes LVV-së dhe partive opozitare, në mars ta kemi presidentin ose presidenten me një mandat të ri pesëvjeçar. Ka pak rëndësi nëse kjo do të jetë sërish Vjosa Osmani apo ndonjë emër i ri, sepse barra kryesore i takon kryeministrit dhe ekzekutivit që ai e udhëheq.
Edhe pse me fitore bindëse, për dallim nga zgjedhjet e 9 shkurtit, kësaj radhe Kurti qe më i kujdesshëm me fjalorin prej fituesi. Kësaj radhe diti të fitojë. E edhe partitë opozitare, ditën të humbin. Siç thuhet, nuk është me rëndësi vetëm të dish ta pranosh humbjen, por edhe të dish të fitosh.
Natyrisht, arsyeja për këtë është se Kurtit i nevojiten votat e opozitës për dy raundet e para të votimit të presidentit apo presidentes së re, si dhe për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Ky fjalor i përmbajtur i Kurtit kontribuon në krijimin e një klime politike më civilizuese, në të cilën, kur ka nevojë për bashkëpunim me opozitën, bashkëpunohet, ndërsa kur vjen puna te kritika dhe kundërshtimi i politikave qeveritare, të dëgjohet se çfarë ka për të thënë edhe opozita. Shpresoj se gjatë këtij mandati, edhe pse i kontrollon mbi gjysmën e votave në Kuvend, Kurti të jetë më i përgjegjshëm para legjislativit dhe të ketë parasysh parimin e llogaridhënies. Edhe nëse do të ishte vetëm një deputet opozitar, qeveria do të duhej t’i jepte atij llogari.
Një pyetje relevante është po ashtu se përveç qasjes së ndryshuar ndaj opozitës, a do të ketë qasje të re edhe në raport me “çështjet e rënda”, siç janë dialogu me Beogradin dhe zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Nuk ka pasur ndonjë paralajmërim konkret se çka do të ndodhë, por besoj se në këtë mandat, kryeministri Kurti do të ndryshojë qasje. Në mandatin e kaluar, ai dhe partia e tij kanë qeverisur me një papjekuri politike të theksuar. Mbase me përvojën e krijuar në pesëvjeçarin e fundit, doza e pjekurisë politike e Kurtit dhe e ministrave të tij do të rritet dhe bashkë me këtë edhe përgjegjësia para qytetarëve, pa dallim përkatësie politike apo etnike, e edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare. Në të kundërtën, ai Kosovën do ta dërgojë në greminë. Prandaj, nëse mandati i parë ka qenë i përqendruar te vendosja e kontrollit shtetëror në tërë territorin, gjë që, sipas qytetarëve që e shpërblyen LVV-në me 51 për qind, është arritur, mandati i dytë duhet t’i kushtojë rëndësi më të madhe forcimit të subjektiviteti ndërkombëtar të Kosovës.
Natyrisht, aty është edhe integrimi i paralajmëruar i sistemeve arsimore dhe shëndetësore serbe në kuadër të sistemit të Kosovës. Kushtetuta e përcakton shumë qartë çështjen e planprogrameve shkollore deri në nivelin universitar, si dhe çështjen e menaxhimit të shëndetësisë sekondare dhe terciare. Komunat me shumicë serbe gëzojnë autonomi të plotë për këto dy çështje. Problemi me këtë integrim është rezistenca e serbëve dhe e përfaqësuesve të tyre politik për t’u integruar në kuadër të sistemit të Kosovës. Prandaj, nëse provohet që ky integrim të ndodhë përmes masave administrative, atëherë do të nxisë shumë kontroversa dhe kundërshti, duke përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila në parim nuk është kundër këtij integrimi porse kërkon që të bëhet në mënyrë sa më të padhembshme, duke mos e shkaktuar rritjen e tensioneve, si brenda Kosovës ashtu edhe në nivelin rajonal. Serbët besoj se do ta kushtëzojnë integrimin e arsimit dhe shëndetësisë me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili, sipas tyre, do t’i menaxhonte këto dy shërbime apo sektorë për komunitetin serb. Ky qëndrim është në përputhje me parimin e “një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”, të cilin kryeministri Kurti e ka nënshkruar në Ohër më 18 mars 2023. Prandaj, do të ishte mirë që një orë e më parë ai t’ua shpjegojë qytetarëve se në çfarë mënyre synon ta bëjë integrimin e arsimit dhe shëndetësisë serbe në kuadrin e sistemit të Kosovës.
Kjo nuk është çështje e thjeshtë. Përkundrazi, është shumë komplekse meqë nuk mund të zgjidhet nëpërmjet vendimeve të njëanshme administrative të Qeverisë.
Me fitoren bindëse zgjedhore, Kurti tanimë e ka luksin të merret seriozisht edhe me punë të vështira dhe të marrë vendime jopopullore, të cilat nuk e presin. Ai do të jetë nën presion të vazhdueshëm ndërkombëtar, kurse Kosova do të përballet me shkop dhe me karotë sa herë që të vijë puna e vendimeve të vështira. Çdo proces do të jetë i kushtëzuar. Kosova nuk do të mund ta bëjë asnjë hap përpara nëse nuk dakordohet për çdo gjë me SHBA-në dhe me BE-në. Çfarëdo kontradikte e dalë si pasojë e veprimeve të Qeverisë, do të ndëshkohet. Për këtë, besoj se është mjaft i vetëdijshëm edhe kryeministri Kurti, të cilit do t’i duhet t’i paketojë vendimet jopopullore e që bien në kundërshtim me parimet e tij të proklamuara, për t’ia servuar ato qytetarëve. Mirëpo nuk është çdo gjë rrugë me ferra, sepse me një politikë të mençur Kosova i hap vetes rrugë për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, siç janë Këshilli i Evropës, NATO-ja dhe BE-ja. Kurti e ka shansin të jetë lideri që e udhëheq këtë proces të integrimeve euroatlantike. Kjo është përparësia por edhe mallkimi i tij, ngase për ta arritur këtë integrim do t’i duhet të shkelë mbi çdo parim, për hir të të cilit qytetarët ia dhanë kartën bllanko edhe për një mandat.