Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Për egot dhe inatet

Pas shkuarjes kot në zgjedhje tash, vështirë e kam të besoj se Osmani do të ishte kandidatja konsensuale, ngase për të nuk ka konsensus as brenda partisë së saj, e lëre më partive të tjera me të cilat ishte në luftë përpara dhe hyri në luftë në fushatën e kaluar zgjedhore. Në vend të ofrimit të një programi zgjedhor që do ta veçonte për një risi nga ajo që jemi duke e gëlltitur qe sa vjet, e shndërroi të gjithë daljen në terren në një çështje personale më parë se parimore. Dhe rezultati doli ky që është tash (me pak mundësi ndryshimi për të mirë)

Ende po i qaj paratë që i kanë shkuar Kosovës në proceset e kota zgjedhore (këto dy të fundit parlamentare) si dhe në pagesat e majme dhe absolutisht të paarsyetueshme të deputetëve që me një mandat nuk bënë asnjë gjë të vetme pos që e konstituuan dhe më pas e shpërndanë vetveten dhe që me mandatin tjetër më shumë u kujdesën për të gjetur asistentë (se mos po lodhen shumë), të cilët gjithashtu duhej paguar (këta, fatmirësisht, vetëm deri në mbarim të mandatit të deputetit).

Dhe derisa vazhdoj të vajtoj për gjithë ata miliona që u shpërndanë për blerje të votës, pardje kuptova për një vendim epokal të Parlamentit hungarez: me votë unanime, rrogat e deputetëve hungarezë u zvogëluan për 40%, kurse kryeministri e zvogëloi rrogën e tij përgjysmë, krahasuar me atë që e merrte Orbani. Njëkohësisht, është marrë vendimi edhe për shkurtimin e shpenzimeve për karburante, shpenzime udhëtimi e të ngjashme. Qëllimi, sipas asaj që e deklaron Magyari, është përpjekja për ta reduktuar dallimin e madh të të hyrave mes shërbyesve publikë dhe rrogës mesatare që sillet diku rreth 1800 euro.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Te ne, ajo që po ndodh sidomos në 18 muajt e fundit është rritja e hendekut mes rrogave në sektorin publik me atë të sektorit privat. Dhe, përsëritja e të zakonshmes: “rritja ekonomike më e madhe në rajon dhe punët kurrë më mirë nuk i kemi pasur në ekonomi”.

* * *

T’i kthehemi temës e cila tashmë është bërë e zakonshme: zgjedhjet.

E diela e shkuar kaloi e qetë, pa incidente. Ende nuk e dimë nëse ka pasur vjedhje të votave ose jo – e besoj nga e konfirmojnë së shpejti numëruesit në QNR, të cilët kësaj radhe janë duke e kryer numërimin më shpejt se herën e shkuar. Kjo, pos që janë regjur, edhe për shkak se numri i votuesve në vend krahasuar me herën e shkuar është për 200 mijë më pak.

Një tregues, po qe se supozojmë se votuesit janë të gjithë rezidentë, se njerëzit janë lodhur e mërzitur me zgjedhje të përsëritura dhe krejtësisht të panevojshme.

Janë mërzitur nga fakti se politika në Kosovë vazhdon të jetë luftë egosh dhe se këto zgjedhje të qershorit u cytën nga ambicia e individëve që u kanë besuar fjalëve të veta: se populli njëmend i do shumë dhe se mezi pret t’i zgjedhë në këtë apo atë post. Si dhe nga ambicia e individëve të tjerë që u kanë besuar iluzioneve se rikthimi i një gruaje që ka deklaruar publikisht se kurrë nuk do të kthehej në partinë nga ka dalë, do t’ia sillte LDK-së numrat që dikur ajo i kishte fituar sikur kur ishte opozitë brenda partisë, ashtu edhe kur iu bashkua listës së VV-së.

Shikuar në retrospektivë, Osmani u shfaq në formë modeste në skenën politike 2010-n kur i pati fituar diçka nën 10 mijë vota; më 2014 do t’i kishte gati 40 mijë vota (dhe gruaja më e votuar); 2017-n do të arrinte maksimumin e saj me rreth 65 mijë vota që ishte votë ndëshkimi për LDK-në, pasi Osmani u hodh në vendin 81 të listës – këto vota ishin të sajat, hakikat.

Më 2019, do të ishte bartëse e listës së LDK-së (dhe kandidate për kryeministër e do të zgjidhej kryekuvendare) dhe aty do t’i merrte mbi 175 mijë vota kurse më 2021 do të ishte pjesë e listës së VV-së, me nr. 2, ngase Kurtit iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje për shkaqe ligjore dhe do t’i regjistronte mbi 300 mijë vota. Deri në dhjetor 2025, ky kishte qenë rekordi. Atë e theu Kurti, me nja 50 mijë vota më shumë.

E rikthyer në partinë nga doli, pasi që nuk doli ta bindte askënd që duhej zgjedhur edhe për një mandat kryetare e shtetit, dhe pasi e shpërndau Kuvendin në kundërshtim me Kushtetutën, garoi si bartëse e listës së LDK-së, dhe deri në këto çaste, ende nuk i ka mbërritur 80 mijë votat.

Pra, doli se deklarata e saj: “Vullneti i qytetarit mendoj se është i qartë. Në shumicën dërrmuese të matjeve, rreth 81% e qytetarëve dëshirojnë një mandat të dytë për mua”, u demantua fuqishëm të dielën. Numrat pësuan permutacion – më pak se 18% janë ata që e përkrahin thënien e saj. E megjithatë, natën e zgjedhjeve, pasi deklaroi se “hapi i parë i bashkimit ka dhënë rezultat”, e tha edhe këtë: “Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë arsye që ta refuzojë emrin tim për presidente të shtatë të Republikës së Kosovës”, për të vazhduar nja tri ditë më vonë në CNN duke thënë se votuesit kanë vendosur se partitë duhen arritur kompromis, dhe se nuk ka vend për 'one man show'.

* * *

Siç po sillen numrat, do të dalë se VV-ja si bashku me shumicën e minoriteteve joserbe dhe me Rashiqin do të jetë në gjendje edhe ta zgjedhë kryeparlamentarin e edhe kryeministrin bashkë me qeverinë. Ky është njëri kompromis: duke u ofruar partive përkrahëse poste ministrore dhe zëvendësministrore – si përherë. Tjetri do të ishte që të gjendej një kandidat apartiak e të shtyhej procedura përpara pa fanfare e pa pallavra – punë e zorshme. Si përherë.

Kështu, topi do të bjerë në oborrin e opozitës. Ata do të duheshin vendosur nëse do të duan ta përkrahin ndonjë kandidat eventual të VV-së (pra jokonsensual) me praninë në sallë për ta siguruar kuorumin; nëse do ta paraqesin Osmanin si kandidate për garë me kandidatë të tjerë (që nuk e besoj se Osmani do ta pranonte duke ditur se do ta humbte atë garë) apo nëse do të vendosin sërish të na çojnë në zgjedhje duke e rrezikuar jo vetëm tkurrjen e votuesve, por edhe të vetvetes në përmasa të tilla sa rikthimi do të bëhej tejet i vështirë.

Pas shkuarjes kot në zgjedhje tash, vështirë e kam të besoj se Osmani do të ishte kandidatja konsensuale, ngase për të nuk ka konsensus as brenda partisë së saj, e lëre më partive të tjera me të cilat ishte në luftë përpara dhe hyri në luftë në fushatën e kaluar zgjedhore. Në vend të ofrimit të një programi zgjedhor që do ta veçonte për një risi nga ajo që jemi duke e gëlltitur qe sa vjet, e shndërroi të gjithë daljen në terren në një çështje personale, më parë se parimore. Dhe rezultati doli ky që është tash (me pak mundësi ndryshimi për të mirë).

* * *

Dërrmimi për të cilin shkrova javën e shkuar nuk do të kalojë shpejt e lehtë. E sidomos nuk do të kalojë po qe se sërish do të “ngulen thikat” në karrigen e kryetarit të shtetit. Kokëfortësia e mbajtjes së pozicioneve është duke na bërë shumë, shumë dëm – ngase politikanët nuk po duan ta kuptojnë se Kosova është tepër më e rëndësishme se egot e tyre dhe inati patologjik.

Kosova nuk ka interes as për ta pasur një parti me 60% të votave dhe me pushtet të padiskutueshëm në kufi me absolutin, e as nuk është e interesuar që të vazhdojë të funksionojë me një sistem politik ku nuk ka opozitë – nga fushata e kuptuam se opozita nuk ka asnjë copë vizioni se si ta ndryshojë gjendjen në të cilën jemi, pos kopjimit të ideve dhe akuzave që u ngjasojnë pllakave të gërvishtura gramafoni.

Me rëndësi në këtë çast është se kush po e kalon pragun e kush po bëhet deputet – se do të na bëjnë çirak, sikurse po ndodh qe sa legjislatura.

E mira e së mirës do të ishte që krejt të mblidheshin rreth një qëllimi – që Kosova të bëhet më e pasur dhe që njerëzit e saj ta jetojnë një jetë më të mirë dhe më stabile ekonomikisht. Kjo do të nënkuptonte kontroll më të theksuar të Kuvendit ndaj Qeverisë dhe funksionimin efikas të Komisioneve kur duhet kaluar ligje. Nuk mjafton vetëm të kalohen ligje, sepse ligjet vetvetiu, edhe po të ishin më të përkryerit, nuk do të zgjidhnin probleme. E lerë më ligjet që i kalon ky Kuvend – që shpesh miratohen thuajse po hartohen për ndonjë shtet tjetër që nuk është Kosova.

Deri nga fundi i muajit apo fillimi i tjetrit mbase edhe do të kemi Kuvend, e mbase edhe Qeveri. Në cilindo variant, qeveria e re do të duhej ta kishte për njeri të dytë dikë që merr vesh ekonomi (e që nuk është interpretuesi më i zellshëm i Kushtetutës, ani që është financier) dhe që mund t’i koordinojë të gjitha ministritë që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit. Pa e pasur të qartë një strategji zhvillimi, pa pasur veprime me efekte të menjëhershme, sidomos te sektori privat, pa pasur vendosmëri për reformë – do të sharrojmë edhe më thellë.

E edhe nëse shkojmë në zgjedhje prapë, posti nuk mbetet pa ushtrues detyre.

Shumë shpesh e kam shkruar, nëse nuk dimë, nuk është marre të kërkohet ndihmë nga dikush që di – por definitivisht jo nga dikush që do të na mësojë të lidhim kontrata të dëmshme shitblerjeje – siç na ka ndodhur me shitjen e Distribucionit – dokument i cili më në fund u bë publik pas 13 vjetësh, dhe ku e kuptojmë se me duart tona, e kemi dorëzuar në duar private një aset strategjik, dhe i kemi marrë mbi vete krejt detyrimet dhe rreziqet duke dalë dyfish në humbje. Haram i qofshin paratë atij që mori përqindje në këtë transaksion.

* * *

Dje ishte Dita e çlirimit – dhe nuk ditëm as ta festonim si duhet – sepse as nuk është festë zyrtare.

Mirë që ia nisi Kampionati Botëror i Futbollit – gjithsesi më interesant sesa politika kosovare që është duke na u shndërruar në ëndërr të keqe që duket se s’ka fund.

[email protected]