Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Vuçiqi dhe vampirët e Muçibabës

Ndërsa Aleksandar Vuçiq akuzon fqinjët për aleanca ushtarake, Serbia mbetet kampionia e armatimit në Ballkan, duke shpenzuar miliarda për sisteme raketore kineze e ruse

1.

Jetojmë në një kohë të rrenave të mëdha. Autorë të tyre janë baronë të mëdhenj politikë, politikanë provincialë, burrështetas dhe të tillë që duan të jenë burrështetas, huliganë digjitalë, të cilët rrenën duan ta shesin në pazar si të vërtetë alternative. Në këso situatash të përditshme mund të bëhen edhe eksperimente me të vërtetën. Për shembull mund ta pyesni inteligjencën artificiale nëse në fshatin Muçibabë ka vampirë. Ajo, pra inteligjenca artificiale, përgjigjet se nuk ka dëshmi shkencore se në Muçibabë ka vampirë. Pastaj sqaron se nuk ka as lugetër, as kukudhë (një fjalë tjetër për lugetër). Nëse e falënderoni inteligjencën artificiale për këtë informacion me vlerë, menjëherë pason kjo këshillë: “Nëse ndonjëherë vendos të shkosh në Muçibabë dhe dëgjon ndonjë zhurmë të çuditshme natën, mos u shqetëso. Me shumë mundësi është thjesht era nëpër male ose ndonjë fqinj që po kthehet vonë në shtëpi”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

2.

Të kalojmë tani në botën reale. Atë të narcistëve. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i shqetësuar. Pse? Sepse Kosova, Shqipëria dhe Kroacia kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes. Mediat e kontrolluara nga kryeredaktori Vuçiq kanë qenë me javë të tëra në gjendje të jashtëzakonshme. E kanë gjetur edhe një titull për të përshkruar bashkëpunimin mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit: “trojni savez”, aleanca e treshes. Ky është një aludim në aleancën mes Perandorisë Gjermane, Austro-Hungarisë dhe Mbretërisë së Italisë të vitit 1882. Qëllimi i kësaj aleance ishte përkrahja e ndërsjellë për t’iu kundërvënë sulmeve nga vende të tjera, e sidomos nga Rusia. Në propagandën serbe gjermanët dhe austriakët historikisht përshkruhen si armiqësorë ndaj serbëve. Nga ky këndvështrim Kroacia, Shqipëria dhe Kosova janë tri vende pas të cilave qëndrojnë shtetet e fuqishme perëndimore. “Dikush është dashur të jap dritë të gjelbër për këtë”, tha Vuçiq, duke nënvizuar se “rreziku më i madh” Serbisë i kanoset nga “këto tri entitete”. Meqë s’donte ta quante Kosovën shtet, i bëri edhe Shqipërinë dhe Kroacinë entitete.

3.

Nëse ka një shtet në Ballkan që është armatosur pandërprerë në dy dekadat e fundit, ajo është Serbia. Sipas të dhënave të SIPRI (Instituti Ndërkombëtar i Kërkimit të Paqes në Stokholm), Serbia mes viteve 2011-2017 ka harxhuar 700-900 milionë dollarë në vit për buxhetin ushtarak. Më 2018 filloi një kthesë e madhe. Buxheti u trefishua. Në vitin 2023, shpenzimet arritën në rreth 2,14 miliardë dollarë, ndërsa për vitin 2024/2025, Serbia ka ndarë rreth 2.32 miliardë dollarë. Faktet tregojnë se Serbia shpenzon aktualisht më shumë se të gjitha vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku, duke u bërë fuqia kryesore ushtarake në rajon sa u përket investimeve. Nga Kina ka blerë sistem raketor mbrojtës me rreze të gjatë veprimi (versioni kinez i atij rus S-300). Ka blerë po ashtu nga Kina dronë CH-92 dhe CH-95. Këta dronë luftarakë dhe vëzhgues i kanë dhënë Serbisë avantazh teknologjik në rajon. Nga Pekini ka blerë edhe sistemet HQ-17A (mbrojtje kundërajrore me rreze të shkurtër veprimi).

Nga Rusia ka marrë si “dhuratë” 6 avionë MiG-29. Ka blerë sistemet Pantsir-S1 (mbrojtje kundërajrore e lëvizshme), helikopterët Mi-35M dhe Mi-17V-5 (të njohur si “fortesa fluturuese”), tanket T-72MS (sipas informatave zyrtare: donacion rus). Serbia po ashtu vazhdon të jetë një eksportuese e madhe e armëve. Supozohet se ka eksportuar për 800 milionë dollarë në Ukrainë (duke ua shitur armët shteteve perëndimore, të cilat i kanë dërguar në Ukrainë. Rusia këtë e ka kuptuar dhe e ka akuzuar Serbinë se po ua fut thikën pas shpine “vëllezërve rusë”). Serbia ka eksportuar armë edhe në Izrael (dhe kësisoj ua ka treguar gishtin e mesëm diplomatëve palestinezë, të cilët ende besojnë se është gjallë Jugosllavia e shokut Tito, i cili përkrahte çështjen palestineze për të fituar prestigj në botën arabe; kjo iu shpagua: gati çdo digë në Irak e Libi është ndërtuar nga firmat jugosllave).

4.

E tepërt të shtrohet pyetja se kush po armatoset me të madhe në rajon. Që fqinjët e Serbisë mendojnë të vetëmbrohen - kjo nuk është befasi. Fundja, është hap i logjikshëm përballë një shteti si Serbia, i cili vetëm në vitet 1990 ndezi katër luftëra në Ballkan - nga Sllovenia në Kosovë. Me propagandën e tij për rrezikun që i kanoset nga Kosova, Kroacia dhe Shqipëria, presidenti serb synon të mobilizojë klientelën e tij radikale e nacionaliste para se këtë vit të mbajë zgjedhje në Serbi. Së paku kështu ka premtuar disa herë si përgjigje ndaj protestave masive kundër regjimit të tij. Vuçiqi është duke parë tani vampirë në Muçibabë. Ndërkohë presidenti serb takoi kryeministrin kroat, Andrej Plenkoviq. Tha se ka marrë garanci prej tij që bashkëpunimi ushtarak mes Kroacisë, Kosovës e Shqipërisë “nuk është i drejtuar kundër Serbisë”. Ky ishte një sinjal ndaj mediave qeveritare se duhet të ndalin fushatën kundër aleancës ushtarake kroato-kosovaro-shqiptare. Por në atë çast që Vuçiqi sheh potencial për të mobilizuar klientelën e tij, fushata mund të kthehet me krejt furinë e saj.