Kronikë

Dy të arrestuar për një rast rrëmbimi në Prishtinë

Policia

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka pranuar një raport lidhur me një rast të rrëmbimit të ndodhur në “Veternik” më 18 shtator rreth orës 23:10 dhe për rastin ka arrestuar dy persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, dy të dyshuar kanë marrë me forcë viktimën mashkull, duke e futur në një veturë dhe më pas e kanë dërguar në një shtëpi të pabanuar. Viktima ka deklaruar se aty është mbajtur deri në orët e mëngjesit dhe ndaj tij është përdorur forcë fizike.

Gjatë veprimeve hetimore është identifikuar edhe një person i tretë i dyshuar, i cili aktualisht ndodhet në arrati. Me urdhër të gjykatës janë bastisur katër shtëpi dhe banesa, ku është gjetur dhe konfiskuar një armë gjuetie.

Dy të dyshuarit kryesorë janë arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit.