Kronikë

Fushë-Kosovë, 77-vjeçari vdiq pasi ra në pusetë në një objekt në ndërtim

Policia

Foto: Ilustrim

Një 77-vjeçar ka vdekur të mërkurën në Fushë-Kosovë, në rrugën “Agron Rrahmani”, pasi ka rënë në një pusetë të një objekti në ndërtim. Lajmin për KOHËN, e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Gjithashtu ajo ka thënë se është iniciuar rasti si “Hetim mbi vdekje”.

“Sot në stacionin policor të Fushë Kosovës, është iniciuar një rast “Hetim mbi vdekje”. Rasti ka ndodhë në rrugën Agron Rrahmani në Fushë Kosovë, ku ka humbur jetën viktima mashkull, 77 vjeç. Rasti është duke u hetuar nga njësitet kompetente në koordinim me prokurorinë”, ka thënë zëdhënësja Ahmeti në përgjigjen e saj.

Ndërkohë, komandati i i Batalionit të Zjarrëfikësve në Prishtinë, Muhamet Reqani, ka konfirmuar për KOHËN se trupi i të moshuarit është tërhequr nga zjarrfikësit prej pusetës në objektin në Bresje të Fushë-Kosovës dhe është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

“Në ora 13:47 e kemi pranuar informatën për një person që ka rënë në një pusetë në një objekt në ndërtim e sipër. Aty kemi gjetur njësitin e policisë dhe hetuesit si dhe ndihmën e parë. Ekipet tona e kanë nxjerrë trupin nga puseta dhe e kanë dorëzuar në Mjekësinë Ligjore”, deklaroi Reqani për KOHËN.