Një shumë e parave është grabitur të enjten në zyrat e KEDS-it në Shtime, njoftoi Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, deklaroi për KOHËN se grabitja ka ndodhur në orën 13:10 në rrugën “12 Qershori”, ku dy persona të maskuar e të armatosur, kanë kryer grabitjen e parave.
Të dyshuarit, sipas Veselit, janë larguar me një veturë të tipit “Tauran”, ndërsa më vonë, pranë fshatit Jezercë, është gjetur vetura e djegur, që dyshohet se iu përket grabitësve.
“Në rast janë kyçur edhe hetuesit dhe krimteknikët e sektorit rajonal të hetimeve dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar, i kanë nisur hetimet në kërkim të automjetit dhe personave të dyshuar. Jo larg qytetit të Shtimes, në rrugën që çon në fshatin Jezercë, Policia ka gjetur automjetin e djegur, me të cilin dyshohet se personat e dyshuar e kanë kryer grabitjen në Shtime”, thuhet në njoftim.