Prokuroria Themelore në Pejë, ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave të dyshuar për përfshirje në vepra penale të rënda.
Tre prej të pandehurve, Xh.K., D.K. dhe A.K., akuzohen për veprën penale “Detyrimi”, ndërsa personi i katërt, L.Sh., për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, nga viti 2020, të pandehurit Xh.K., D.K. dhe A.K., me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, kanë ushtruar kanosje serioze ndaj një qytetari, me qëllim që ta detyrojnë atë të kryejë veprime në dëm të pasurisë së tij. Ata kërkuan shuma të konsiderueshme parash nga i dëmtuari, fillimisht 20,000 euro, e më pas edhe 30,000 euro, në lidhje me një pronë të blerë nga ai. Të dyshuarit janë arrestuar në flagrancë nga Policia e Kosovës gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Ndërkohë, i pandehuri L.Sh. akuzohet se posedonte armë pa autorizim, vepër e cila përbën shkelje të dispozitave ligjore për armëmbajtje.