Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Irani, origjina e 18 kilogramëve heroinë që u kapën në Ferizaj

heroine- Ferizaj-iran

Prokuroria Speciale ka kërkuar paraburgim ndaj katër të arrestuarve gjatë operacionit antidrogë, të zhvilluar të hënën në Ferizaj. Në kërkesën e PSRK-së për këtë masë thuhet se heroina u sigurua nga Irani, ku përmes Turqisë u soll në Kosovë, ndërsa destinacion kishte vendet e rajonit dhe të BE-së

Irani është vendi nga i cili janë siguruar 18 kilogramë heroinë, që Policia i ka kapur të hënën gjatë një aksioni në Ferizaj. Në dosjen e Prokurorisë për këtë rast tregohet se kjo sasi narkotikësh kishte destinim tregun ndërkombëtar – vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian (BE).

Detajet janë theksuar në kërkesën që organi i akuzës ka bërë te Gjykata Themelore në Prishtinë për masë paraburgimi ndaj katër të arrestuarve, me inicialet A. D., M. B., S. SH., M. SH.. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në kërkesën e Prokurorisë Speciale të siguruar nga KOHA theksohet se të pandehurit dyshohen për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, si dhe për “Shpëlarje të parave”.

Në dokument përshkruhet se si ata substancën e drogës së rëndë e kanë përpunuar në Kosovë.

“Të pandehurit duke qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar që merret me trafikimin e lëndëve narkotike të llojit heroinë, e cila lëndë nga disa prej anëtarëve të këtij grupi të organizuar kriminal sigurohet nga shteti i Iranit dhe përmes Turqisë sillet në Kosovë, aktivitetin e tyre kriminal e realizojnë duke bërë përzierjen e narkotikut me përzierës të ndryshëm me qëllim të shtimit të peshës, më pas të njëjtën e paketojnë me anë të një makine me presion”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Dokumenti thekson se pas përgatitjes për treg, heroinën e marrë të dyshuarit synonin ta shpërndanin edhe në Perëndim.

“Pastaj duke gjetur blerës në vende të tjera, përmes pjesëtarëve të caktuar të këtij grupi e shesin tek blerësit në Kosovë, Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kroaci, Gjermani, Zvicër dhe shtete të tjera të Unionit Evropian dhe këtë aktivitet kriminal këta të pandehur e bëjnë në bashkëpunim me persona të tjerë brenda dhe jashtë Kosovës, siç janë A. D., M.B... ku përfundimisht me datën 13.4.2026 tentojnë t’i trafikojnë rreth 18 kg lëndë narkotike të llojit heroinë”, thuhet në dokument.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit, me përjashtim të M.B., janë duke u gjykuar për vepra penale të trafikimit të narkotikëve, ku në një operacion policor të mëhershëm u është gjetur një laborator i përpunimit të narkotikëve të llojit të njëjtë “heroinë”, e më datë 23 maj të 2022-tës u janë sekuestruar rreth 18 kilogramë të kësaj substance narkotike.

Të pandehurit, gjithashtu dyshohen se e kanë kryer edhe veprën penale “Shpëlarje të parave”.

Në dokument thuhet se nga data e viti i papërcaktuar e deri më 13 prill të këtij viti, në Kosovë me dashje dhe me mjetet e tilla të fituara nga aktiviteti kriminal, një pjesë të tyre i transferojnë duke i konvertuar në prona të luajtshme dhe të paluajtshme – tokë, shtëpi, vetura e banesa.

E për aksionin e Prokurorisë Speciale, ku rezultoi me katër të arrestuar, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Ai ka thënë se nuk ka asnjë kompromis përballë grupeve kriminale.